• e premte, 28 mars 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Kurti në vizitë të paparalajmëruar në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës

Kurti në vizitë të paparalajmëruar në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës

Prishtinë, 3 prill 2024 (MIA) - Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla dhe ministri i Vetëqeverisjes Lokale Elber Krasniqi janë nisur sot për të vizituar komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, njofton korrespodenti i MIA-s nga Prishtina.

Disa media në Prishtinë kanë shkruar se opinioni nuk ishte i informuar paraprakisht për vizitën e Kurtit në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Veri të Mitrovicës dhe për këtë mësuan pasi mediat lokale në gjuhën serbe publikuan informacionin.

Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi u tha gazetarëve pas vizitës së Kurtit se “përafërsisht” e dinte që kryeministri do ta vizitonte sot dhe shtoi se mediat nuk ishin të informuara për vizitën e Kurtit "për shkaqe sigurie”.

Kurti dhe dy ministrat në qeverisjen e tij, gjatë turneut nëpër komuna, ku u takuan me kryetarët shqiptarë të komunave atje të zgjedhur në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar të bojkotuar nga serbët, u shoqëruan nën forca të rrepta policore.

Pas takimit me kryetarin e Mitrovicës, Erden Atiq, Kurti në fjalim u tha gazetarëve se vizita e sotme ka për qëllim shprehjen e mbështetjes për komunat në veri të Kosovës.

Ai informoi se në afërsi të Zubin Potokut ka vizituar vendin ku në vitin 2011 ishte vrarë në pritë pjesëtari i policisë së Kosovës, Enver Zymberi si dhe vendin ku më 24 shtator të vitit të kaluar, në sulmin e një grupi të armatosur serb është vrarë polici Afrim Bunjaku.

"Kemi vizituar edhe memorialin e Enver Zymberit i cili tani do të kishte mbushur 45 vjeç, por u vra, siç e dimë në korrik të vitit 2011. Ne vizituam edhe vendin ku u organizua prita kriminale në të cilën u vra Afrim Bunjaku më 24 shtator të vitit të kaluar nga paraushtarakët dhe terroristët që tani fshihen në Serbi," tha Kurti. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR