• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kurti: I takon BE-së të gjejë mekanizmin që kjo marrëveshje të bëhet ligjërisht dhe ndërkombëtarisht e obligueshme

Kurti: I takon BE-së të gjejë mekanizmin që kjo marrëveshje të bëhet ligjërisht dhe ndërkombëtarisht e obligueshme

Ohër, 18 mars 2023 (MIA) - Arritëm një pajtim publik për aneksin që do të udhëzojë zbatimin e marrëveshjes bazë. I takon Bashkimit Evropian të gjejë mekanizmin të bëjë statusin e kësaj marrëveshje ligjërisht të obligueshme", deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit disaorësh në Ohër me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

Në deklaratën për media, Kurti tha se ka ardhur në Ohër me qëllim të nënshkruajë marrëveshjen bazë me aneks, por që pala serbe edhe këtë herë i ka ikur nënshkrimit, si në takimin e fundit në Bruksel më 27 shkurt.

Sipas Kurtit, marrëveshja bazë de fakto nënkupton njohjen e ndërsjellë.

I pyetur nëse do të fillojë kthimi i serbëve në Kosovë, Kurti tha se angazhohet për të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

"Kjo do të thotë se angazhohem edhe për ata që duan të kthehen. Shumica prej tyre tashmë i kanë shitur pronat e tyre, por ka edhe prej atyre që kanë prona në Kosovë dhe angazhohem për të drejtat e të gjithë atyre njerëzve, pa dallim përkatësisë së tyre", tha Kurti.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve për personat e pagjetur, Kurti tha se do të angazhohet maksimalisht që të zbulohet fati i tyre dhe të sigurohet drejtësi për ta.

Lidhur me zgjedhjet në Kosovë, Kurti ka theksuar se për këtë nuk është diskutuar, pasi janë punë të brendshme të Kosovës.

"Do t'i ndërmarrim të gjitha vendimet që janë të nevojshme për organizimin sa më të mirë të zgjedhjeve. Më vjen keq që më 5 nëntor të vitit të kaluar Beogradi urdhëroi deputetët e Listës Serbe dhe mbi 400 policë në veri të Kosovës të japin dorëheqje kolektive. Mendoj se kjo ishte gabim", ka thënë Kurti.

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR