Kurti: Fitorja e VLEN-it, konfirmim i qeverisjes së mirë
- Post By Fami Bajrami
- 12:11, 6 nëntor, 2025
Prishtinë, 6 nëntor 2025 (MIA)- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi në rrjetet sociale, ka komentuar përfundimin e zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, ku VLEN doli fitues absolut ndaj AKI-së opozitare.
Ai thotë se suksesi i këtillë është konfirmim i qeverisjes së mirë të VLEN-it, vullnetit për ndryshim te shqiptarët dhe një shans i madh për reforma në vend.
“Nga Çairi në Tetovë, VLEN-i ka arritur të fitojë në dhjetë komuna në Maqedoninë e Veriut. Dy miqtë e mi Izeti e Bilalli, triumfuan me meritë me projekte konkrete dhe punë të ndershme. I pari që në raundin e parë, i dyti dy javë më vonë, por të dy ngadhënjyen, me diferencë të thellë”, thekson Kurti.
Ai shton se gjatë këtyre 15 muajve të para në pushtet, “VLEN-i ka qeverisur me duar të pastra, pa korrupsion e skandale, duke bërë edhe një dallim etik me qeverisjet e kaluara”.
Pikërisht kjo frymë e ndryshimit, sipas tij, ka sjellë një bashkëpunim të hapur e shumë dimensional mes Kosovës e Maqedonisë së Veriut.
“Nga takimi përmbajtjesor i dy qeverive tona e deri te menaxhimi i përbashkët i kufirit, Kosova e Maqedonia e Veriut si kurrë më parë kanë thelluar raportet fqinjësore. Qeveria e Kosovës mirëpret zhvillimet demokratike në Maqedoni të Veriut, si një dëshmi e perspektivës evropiane të partnerit dhe aleatit tone”, shkruan Kurti në Fejsbuk.