• e diel, 22 dhjetor 2024

Kurti e lavdëroi, opozita kritikoi punën dyvjeçare të qeverisë

Kurti e lavdëroi, opozita kritikoi punën dyvjeçare të qeverisë

Prishtinë, 6 prill 2023 (MIA) - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në seancën e Kuvendit të Kosovës ka lavdëruar punën dhe përkushtimin e Qeverisë në periudhën dyvjeçare, ndërsa deputetët e opozitës kanë qenë shumë kritikë ndaj raportit për punën e Qeverisë së Kosovës.

Kurti tha se në dy vitet e punës së Qeverisë janë hapur 37.000 vende pune dhe se fokusi i Qeverisë është gjyqësori dhe punësimi. 

 "Do të flas për punën dhe drejtësinë si shtyllat e qeverisjes sonë. Në vitin e parë të Qeverisë kemi pasur një rritje të prodhimit vendor bruto prej 10.7 për qind, në vitin e dytë 4 për qind. Nëse marrim mesataren e dy viteve, është 7 për qind, më e larta deri më tani”, tha Kurti.

 Ai shtoi se kanë kaluar dy vjet dhe se “kanë ende shumë punë për të bërë për ta ndihmuar eksportin dhe prodhimin vendas, por situata ka ndryshuar për mirë dhe kanë arritur ta ulin deficitin buxhetor për vitin 2022 në një rekord historik”.

Ai deklaroi se kur ligji për pagën minimale do të votohet në lexim të dytë “do të rriten edhe përfitimet për pushimin e lehonisë”. 

Në pjesën e drejtësië, Kurti ka përmendur miratimin e Ligjit për Byronë për konfiskim të pasurisë, nisjen e punës për vetting, funksionalizim të Gjykatës Komerciale e arrestimin e mbi 3.200 personave për korrupsion.

 Besnik Tahiri, shef i grupit të deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka vlerësuar se sektori publik është në krizë të madhe dhe se Kosova asnjëhetë  nuk ka qenë   më e dobët në planin ndërkombëtar. 

 “Sot Qeveria udhëhiqet me ushtrues detyre në nivelet më të larta të shtetit, a e dini pse, sepse me një email vendosen dhe me një emajl shkarkohen. Sot Ligji i pagave ka ndihmuar 10 mijë njerëz, 70 mijë nuk e dinë saktësisht sa e kanë pagën e tyre”, ka theksuar Tahiri.

Duke vlerësuar se Kosova asnjëherë nuk ka qenë më e dobët në planin ndërkombëtar, Tahiri tha se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit ka vërtetuar se "kjo Qeveri tani ka hyrë edhe në afera korruptive".  

Ai ka kritikuar Qeverinë edhe për mungesë të investimeve kapitale dhe ka përmendur disa rrugë magjistrale të cilat sipas tij janë në gjendje të mjerueshme. ar/

 

QËNDRONI TË LIDHUR