• e diel, 22 dhjetor 2024

Kurti dhe Kasami u angazhuan për ndërtimin sa më të shpejtë të rrugës Tetovë- Prizren

Kurti dhe Kasami u angazhuan për ndërtimin sa më të shpejtë të rrugës Tetovë- Prizren

Tetovë, 11 gusht 2023 (MIA) - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pasditen e sotme ka vizituar Komunën e Tetovës, me ftesë të kryetarit të kësaj komune Bilall Kasami, me të cilin më pas kanë vizituar fshatin Vicë. Që të dy u angazhuan për ndërtimin sa më të shpejtë të rrugës Tetovë - Prizren e cila do të kalonte nëpër Malin Sharr.

Kasami theksoi se nëse pushteti qendror nuk është i interesuar, si pushtet vendor do të përpiqen të realizojnë idenë e lidhjes infrastrukturore të dy qyteteve në të dyja anët e kufirit.

"Nëse Qeveria nuk ka interesim që të realizohet pjesa e rrugës Tetovë - Prizren konform studimit dhe punëve të dakorduara me Qeverinë e Republikës së Kosovës, ne si pushtet lokal në kuadër të kompetencave dhe mundësive tona nuk do të rrimë duarkryq, do të punojmë siç kemi investuar tashmë në këtë segment të rëndësishëm prej shtatë kilometrash në rrugën nga Sellca në Vicë për të bërë edhe pjesën tjetër. Dhe rreth kësaj do të jemi në kontakt të afërt me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe pushtetin lokal në Prizren për ta realizuar këtë pjesë. Gjithashtu, inkurajojmë Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut që të punojë seriozisht në pjesën e zbatimit të rrugës Tetovë-Prizren konform studimit që është bërë dhe konform marrëveshjeve që janë dakorduar", ka thënë Bilall Kasami.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se zhvillimi ekonomik dhe zhvillimi i infrastrukturës nuk duhet të jenë të rezervuara vetëm për zonat dhe qytetet urbane, por edhe për zhvillimin rural. Sipas tij, kjo bëhet edhe në Kosovë edhe në Maqedoninë e Veriut.

"Ne kemi interesim të madh për hapërim më të shpejtë drejt lidhjes infrastrukturore përmes rrugës e cila përfshin një tunel, në Prizren dhe Tetovë. Në bazë të përllogaritjeve nuk bëhet fjalë për një shumë të madhe, por investimi në rrugën do të sjellë përfitime si për qytetarët ashtu edhe për ekonominë, pasi do të shkurtojë kohën e udhëtimit", deklaroi ndër të tjera Kurti.

Ai rikujtoi se për rrugën që duhet të lidhë Prizrenin dhe Tetovën tashmë ka një marrëveshje mes dy vendeve.

"Është nënshkruar nga ana e dy kryeministrave, pra nga unë dhe kolegu im, Kovaçevski. Shpresoj që ky studim fizibiliteti të publikohet sa më shpejt për realizim të këtij projekti të madh rajonal që do të ketë një përfitim të madh në zhvillimin e të dy vendeve. Jemi dakorduar edhe me ish kryeministrin Zoran Zaev dhe me kryeministrin aktual Dimitar Kovaçevski për lidhje sa më të shpejtë të kësaj rruge malore", ka thënë Kurti.

Zëvendësministri i Infrastrukturës së Kosovës, Hisen Durmishi, theksoi se përveç studimit të fizibilitetit, ekziston edhe një komision i përbashkët mes dy vendeve që nga tre linjat e mundshme rrugore zgjodhi variantin me tunelin më të gjatë prej 6.4 kilometrash.

"Në mënyrë që kjo rrugë të funksionojë edhe në kushtet e rënda të dimrit kur ka reshje të dendura bore, kemi shkuar me një lartësi shumë më të ulët. Dalja për në territorin e Kosovës është në fshatin Manastiricë. Ne në Kosovë kemi përgatitur një projekt kryesor nga dalja e tunelit deri në kyçjen në autostradën 'Ibrahim Rugova', një rrugë prej 22 kilometrash”, tha Durmishi, sipas të cilit kjo rrugë ka një rëndësi të madhe jo vetëm për ekonominë por edhe për zhvillimin e turizmit dhe përafrimin mes dy qyteteve.

Kasami dhe Kurti nuk kanë dashur t'u përgjigjen pyetjeve mbi aktualitetet politike në të dyja vendet.

Kryeministri i Kosovës, Kurti më herët, në kuadër të vizitës së tij joformale në vend, ka marrë pjesë edhe në riemërtimin e rrugës "Adem Demaçi" në Komunën e Çairit.

 

QËNDRONI TË LIDHUR