• e enjte, 17 shtator 2026

Kurti: Dënimi ndaj udhëheqësve të UÇK-së, i papranueshëm dhe i dëmshëm

Kurti: Dënimi ndaj udhëheqësve të UÇK-së, i papranueshëm dhe i dëmshëm

Prishtinë, 16 shtator 2026 (MIA)- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se aktgjykimi dënues ndaj ish udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është dënim me vullnet të popullit.

Specialja të mërkurën dënoi me 81 vjet burgim Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin. Ata u dënuan për krime lufte.

“Shpallja fajtorë dhe dënimi kaq i rëndë për katër ish krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është padrejtësi e papranueshme, ndëshkim i madh dhe i dëmshëm. Aktgjykimi mund të jetë shqiptuar formalisht në emër të popullit të Kosovës, por kjo formulë e zbrazët nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit. Ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e apelit dhe atë sa më parë. Në këto momente të vështira, jemi pranë familjeve të ish krerëve të UÇK-së dhe të gjithë bashkëluftëtarëve çlirimtarë”, ka thënë Kurti në një video paraqitje drejtuar qytetarëve.

Kurti ka thënë se Specialja ka nxjerrë konstatime të padrejta dhe se vendimi i saj është bazuar në themele plotësisht të pasakta.

Ai është zotuar për mbështetje nga Qeveria për të akuzuarit në Apel. 

“UÇK-ja nuk ishte zgjedhja e një populli që kërkonte luftë, por përgjigjja e një populli që, i shtypur dhe i kërcënuar në vetë ekzistencën e tij, kërkonte liri. Populli shqiptar i Kosovës përjetoi heqjen e autonomisë, përjashtimin nga institucionet, dëbimin nga vendet e punës, shkollat dhe universiteti, burgosjet, torturat dhe vrasjet. Më pas erdhën masakrat, djegia e vendbanimeve, dëbimi masiv i qindra mijëra njerëzve nga shtëpitë e tyre dhe gjenocidi. Kjo vuajtje nuk ishte sfondi i rastësishëm i luftës, por realiteti që e bëri qëndresën çështje të mbijetesës së një populli”, ka thënë Kurti.

QËNDRONI TË LIDHUR