Kryetarja e KSHPK- së akuzohet për dhënien e sekreteve zyrtare në rastin "Aditivët"
- Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit ngriti aktakuzë kundër kryetares së Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit (KSHPK), Tatjana Dimitrovska e cila dyshohet se nga muaji maj deri në dhjetor 2024 një personi të akuzuar në rastin "Aditivët" i ka mundësuar qasje në të dhëna që konsiderohen si sekret zyrtar. Njëherësh, Dimitrovska akuzohet edhe për marrjen e paligjshme të certifikatës për informacion të klasifikuar.
- Post By Fami Bajrami
- 15:17, 18 korrik, 2025
Shkup, 18 korrik 2025 (MIA) - Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit ngriti aktakuzë kundër kryetares së Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit (KSHPK), Tatjana Dimitrovska e cila dyshohet se nga muaji maj deri në dhjetor 2024 një personi të akuzuar në rastin "Aditivët" i ka mundësuar qasje në të dhëna që konsiderohen si sekret zyrtar. Njëherësh, Dimitrovska akuzohet edhe për marrjen e paligjshme të certifikatës për informacion të klasifikuar.
"Si zyrtare - kryetare e KSHPK-së nga maji deri në dhjetor 2024 një personi të akuzuar në rastin 'Aditivët' në një mënyrë tjetër i ka dhënë qasje në të dhënat që në përputhje me nenin 25 dhe nenin 50 të Ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit si dhe nenin 289 të LPP përbën sekret zyrtar. Ajo përmes telefonit të saj zyrtar dhe aplikacioneve Viber dhe WhatsApp i ka ofruar të akuzuarit informacione në lidhje me procedurat e filluara për hapjen e rasteve kundër personave juridikë dhe fizik në rastin 'Aditivë', shënime zyrtare në lidhje me hapjen e një rasti dhe caktimin e një anëtari të KSHPK-së, vendime në lidhje me të njëjtën, si dhe informacione në lidhje me kontrollin e pronës së të akuzuarit dhe familjes së tij. Me veprimet e saj, ajo zbuloi të dhëna që, sipas ligjit, konsiderohen sekret zyrtar zbulimi i të cilave mund të ketë pasoja të dëmshme si për shërbimin ashtu edhe për procedurat para PTHP NKOK", thuhet në kumtesën e Prokurorisë.
Dimitrovska akuzohet gjithashtu se në mënyrë të paligjshme ka marrë certifikatën për informacion të klasifikuar, pasi përmes telefonit zyrtar i ka dërguar të dhëna një auditori në Entin shtetëror për revizion i cili në emër të saj ka kaluar testin e trajnimit të sigurisë.
E akuzuara e njëjtë akuzohet gjithashtu se me qëllim të pajiset me certifikatë për test në gusht të vitit 2024 nga telefoni zyrtar nëpërmjet aplikacionit Viber tek i akuzuari i tretë- auditori në ESHR i ka ofruar të dhëna kompjuterike- logo për qasje në sistemin elektronik për trajnim në Drejtorinë për siguri dhe informacione te klasifikuara.
Përveç Dimitrovskës, prokuroria ngriti aktakuzë edhe kundër dy personave të tjerë. Midis tyre është edhe udhëheqësja e sektorit në filialin e TEC Negotinë SHA EMV Shkup e cila në shtator 2024 i dha gjithashtu një personi të dhëna që konsiderohen si sekret zyrtar.
Lënda “Aditiv” ka të bëjë me hetim për keqpërdorim të furnizimeve publike dhe pastrim parash lidhur me furnizimin e aditivëve për qymyr për nevojat e SHA EMV – Filiali KME Manastir dhe KME Osllomej. Akuzohen 31 persona fizikë dhe 5 persona juridikë.
Sipas prokurorisë, të dyshuarit kanë organizuar dhe kryer riregjistrimin e personave juridikë për të anashkaluar procedurat e furnizimit publik, duke u mundësuar kompanive të caktuara të marrin kontrata dhe të përfitojnë pasuri të konsiderueshme.
Foto: MIA