• e diel, 22 dhjetor 2024

Kryetarja e Këshillit Gjyqësor Dameva reagon ndaj akuzave për vazhdimin e mandatit

Kryetarja e Këshillit Gjyqësor Dameva reagon ndaj akuzave për vazhdimin e mandatit

Shkup, 28 nëntor 2024 (MIA) - Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, reagon ndaj akuzave të VMRO-DPMNE-së për vazhdimin e mandatit përmes një kumtese në të cilën sqaron kohëzgjatjen e mandatit. Dameva thotë se sipas nenit 8 paragrafi 2 i Ligjit për Këshillin Gjyqësor, mandati i kryetarit zgjat dy vjet. Ajo tregon se mandati i është ndërprerë nga data 26 prill 2023 deri më 3 janar 2024 për shkak të shkarkimit të paligjshëm nga detyra.

"Mandati i Kryetarit të Këshillit Gjyqësor zgjat 2 vjet, sipas nenit 8 paragrafi 2 i Ligjit për Këshillin Gjyqësor dhe është i padiskutueshëm fakti se i është ndërprerë në periudhën prej 26.04.2023 deri më 03.01.2024. Janë vërtet befasuese interpretimet për një lloj vazhdimi të mandatit përtej afatit të përcaktuar ligjor prej 2 vitesh, kur është fakt i padiskutueshëm se gjatë ekzekutimit të tij ka ndërprerje", thuhet në kumtesën e Damevës të publikuar në faqen e Këshillit Gjyqësor.

Ajo shton se publiku ka të drejtë të dijë për çdo vendim të Këshillit Gjyqësor, por në rastin konkret, siç shprehet, as nuk është marrë vendim dhe as nuk ka bazë për marrjen e tij, pasi pas përfundimit të mandatit të kryetarit të këshillit si pikë e rendit të ditës nuk ka bazë ligjore për ndërprerjen e mandatit, por vetëm zgjedhjen e kryetarit të ri, gjë e cila vërtetohet me punën dhe veprimet e mëparshme të Këshillit.

"Duke qenë se në dy raste janë marrë vendime për shkarkimin e Kryetarit të Këshillit, më 26.04.2023 dhe 04.05.2023, e kam konsideruar të nevojshme vetëm të përcaktoj datën e saktë deri në të cilën duhet të kryej funksionin në kohëzgjatje prej 2 vitesh. Sa i përket çështjes juridike lidhur me kohëzgjatjen e mandatit, megjithëse anëtarët e Këshillit kishin qëndrimin e tyre, u konsultuan edhe ekspertë juridikë dhe ekspertë eminentë në fushën e së drejtës, kështu që vetëm u konfirmua qëndrimi i shumicës se mandati duhet të të kryhet për 2 vjet", shton Dameva.

Reagimi i Damevës pason informacionin e publikuar në Fejsbuk nga deputeti dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski, me të cilin pretendon se Këshilli ka arritur në përfundim për ndryshimin e një norme juridike.

Sipas Milloshoskit, të hënën Këshilli Gjyqësor mbajti kolegjium të mbyllur të punës, i cili diskutoi për vazhdimin e pretenduar të kundërligjshëm të mandatit të kryetarit të Këshillit Gjyqësor Republikan (KGJR).

Ai thekson se Dameva është emëruar kryetare e Këshillit më 5 dhjetor të vitit 2022, ndërsa mandati i saj duhet të përfundojë më 5 dhjetor të këtij viti, sepse Ligji për Këshillin Gjyqësor thotë se mandati i kryetarit dhe zëvendësit të tij zgjat dy vjet pa të drejtë rizgjedhjeje.

Kryeministri Hristijan Mickoski dje ka paralajmëruar një luftë të fortë kundër prokurorëve dhe gjykatësve të korruptuar, pasi nga ai është kërkuar koment për akuzat për vazhdimin e mandatit të Damevës. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR