• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, hap Turneun Mbarëkombëtar të Futbollit U15 në Ulqin

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, hap Turneun Mbarëkombëtar të Futbollit U15 në Ulqin

 Tetovë, 20 shtator 2024 (MIA) - Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, së bashku me një grup nxënësish të shkollave të mesme nga Tetova, mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së turneut Mbarëkombëtar të Futbollit për fëmijë U15, që po zhvillohet në Ulqin-Mali i Zi.

Siç njoftuan nga Komuna e Tetovës, ky turne ka fituar një rëndësi të veçantë në fushën e sportit, duke mbledhur ekipe nga qytete të ndryshme të trevave shqiptare, si Tetova, Durrësi, Peja, Ulqini dhe Bujanoci.

 Gjatë ceremonisë së hapjes, kryetari Kasami vlerësoi përkushtimin e të gjithë sportistëve pjesëmarrës, duke theksuar rolin e rëndësishëm të sportit në forcimin e lidhjeve ndërmjet komuniteteve. Ai shprehu mbështetjen e tij të plotë për çdo nismë sportive që nxit bashkëpunimin dhe zhvillimin e të rinjve, si dhe inkurajoi të gjithë pjesëmarrësit që të vazhdojnë të kultivojnë shpirtin sportiv dhe vlerat e miqësisë përmes sportit.

 "Sporti është një urë që bashkon dhe forcon komunitetet tona. Të gjithë pjesëmarrësit në këtë turne janë përfaqësues të denjë të vlerave të solidaritetit dhe bashkëpunimit," u shpreh ai. 

 Komuna e Tetovës do të mbështesë gjithmonë nisma të tilla që kontribuojnë në zhvillimin e rinisë dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet qyteteve dhe rajoneve tona.

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR