• e enjte, 04 dhjetor 2025

Kryeministri polak kundërshton idenë për takim mes Putinit dhe Zelenskit në Budapest

Kryeministri polak kundërshton idenë për takim mes Putinit dhe Zelenskit në Budapest

Varshavë, 20 gusht 2025 (MIA) - Kryeministri polak Donald Tusk sot ashpër kritikoi idenë që Budapesti të bëhet vendi për negociata paqësore mes presidentit ukrainas Volodimir Zelenski dhe presidentit rus Vladimir Putin, sipas Politikos.

Tusk përkujtoi përvojat e këqia nga e kaluara me kryeqytetin hungarez. "Budapestin? Ndoshta jo të gjithë e mbajnë mend, por në vitin 1994, Ukraina  mori garancione për integritet territorial nga SHBA, Rusia dhe Mbretëria e Bashkuar. Në Budapest", tha Tusk, duke shtuar se: "Mund të jem sovran, por këtë herë do të përpiqesha të gjeja një vend tjetër."

Reagimi i tij erdhi pasi Politiko dje zbuloi se Shtëpia e Bardhë shqyrton takim tripalësh në kryeqytetin hungarez ku do të marrin pjesë presidenti amerikan Donald Tramp, Zelenski dhe Putini. Informacioni u konfirmua nga përfaqësuesit e administratës dhe njerëzve të afërt me qeverinë amerikane.

Zgjedhja e Hungarisë si lokacion do të ishte jashtëzakonisht problematike për Ukrainën. Në Budapest në vitin 1994 ishte nënshkruar memorandum me të cilin SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia u obliguan ta respektojnë sovranitetin e Kievit në këmbim të heqjes dorë të Ukrainës nga armët e saj bërthamore. Këto garancione u bënë të pakuptimta pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe mungesës së mbështetjes konkrete ushtarake nga nënshkruesit.

Fakti që kryeministri hungarez Viktor Orban është një aleat i ngushtë i Donald Trampit, ndërsa në të njëjtën kohë ruan marrëdhënie të mira me Kremlinin pavarësisht pushtimit të plotë të Ukrainës, i jep peshë shtesë situatës. Orban ende nuk e ka njoftuar publikisht këtë propozim. Është interesante se kjo nuk është hera e parë që Hungaria ka ofruar shërbimet e saj - ministri i Jashtëm Peter Sijarto sugjeroi Budapestin si një vend të sigurt për negociata që më 25 shkurt të vitit 2022, vetëm një ditë pas fillimit të agresionit rus.

Ndërsa diskutohet për Budapestin, zyrtarët rusë po i minimizojnë pritjet se një takim midis Putinit dhe Zelenskit është afër. Ndërkohë, po përmenden edhe vende të tjera të mundshme. Presidenti francez Emanuel Makron sugjeroi Gjenevën, e cila u mbështet menjëherë nga ministri i jashtëm italian Antonio Tajani. Ministri i jashtëm zviceran Ignacio Kasis konfirmoi se vendi i tij ishte "gati për një takim të tillë", duke shtuar se Putini nuk do të arrestohej pavarësisht një urdhri nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.

Vetë Putini, gjatë bisedës telefonike me Trampin të hënën, propozoi Moskën si vend për takim me Zelenskin. Megjithatë, ai propozim menjëherë ishte hedhur poshtë nga Zelenski dhe liderët evropian si i pavlerë. sa/

foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR