Kryeministri dhe lideri i Partisë Laburiste të Australisë ka shpallur fitoren në zgjedhjet parlamentare
- Kryeministri dhe lideri i Partisë Laburiste të qendrës së majtë të Australisë, Entoni Albaneze ka shpallur fitoren në zgjedhjet e sotme parlamentare.
- Post By Fami Bajrami
- 16:20, 3 maj, 2025
Kanbera, 3 maj 2025 (MIA) - Kryeministri dhe lideri i Partisë Laburiste të qendrës së majtë të Australisë, Entoni Albaneze ka shpallur fitoren në zgjedhjet e sotme parlamentare.
"Falënderoj popullin e Australisë që më dha mundësinë të vazhdoj t'i shërbej vendit më të bukur në botë", tha Albaneze në Sidnej.
Më parë u bë e ditur se Partia Laburiste fitoi zgjedhjet e sotme parlamentare, pas një gare të vështirë ku nga një autsajder u bë fituese për shkak të frikës së votuesve nga ndikimi i presidentit amerikan, Donald Tramp, vënë në dukje agjencitë.
Vetëm pak muaj më parë, në shkurt, qendra e djathtë dukej ende si fituesja e mundshme, sepse votuesit e fajësonin qeverinë e Albanezes për rritjen e kostos së jetesës e cila ishte çështja kryesore politike që prekte shoqërinë.
Por e gjithë kjo ndryshoi pas hapave të parë të Trampit si president, me vendosjen e tarifave për vendet anembanë botës, përfshirë edhe Australinë. Kështu, votuesit i kthyen shpinën konservatorëve australianë të cilët shiheshin si shumë të lidhur politikisht me presidentin amerikan dhe të cilët kryesonin anketat e opinionit vetëm disa muaj më parë.
Albaneze është kryeministër që nga viti 2022 që kur zëvendësoi Skot Morisonin dhe koalicionin e udhëhequr nga Partia Liberale.
Foto: EPA