• e shtunë, 22 shkurt 2025

Kriza në Lindjen e Mesme në fokus të takimit të sotëm Tramp - Netanjahu

Kriza në Lindjen e Mesme në fokus të takimit të sotëm Tramp - Netanjahu

Uashington, 4 shkurt 2025 (MIA) – Kriza në Lindjen e Mesme do të jetë temë kryesore e bisedës në takimin e sotëm, kur kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu do të bëhet lideri i parë i huaj i cili do të takohet me presidentin amerikan Donald Tramp pas kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë.

Netanjahu mbërriti në Uashington të dielën për shkak të kësaj vizite, përkujton DPA.

“Ky është takim me rëndësi i cili e fuqizon aleancën e thellë mes Izraelit dhe SHBA-së dhe do ta përmirësojë bashkëpunimin tonë”, shkroi ambasadori izraelit në KB, Dani Danon, në platformën Iks.

Marrëdhëniet mes dy vendeve në kohën e fundit janë acaruar për shkak të veprimeve ushtarake izraelite në Rripin e Gazës dhe Liban, si dhe kritikat nga ana e ish presidentit amerikan Xho Bajden. Për dallim nga ai, Trampi është më pak kritik ndaj aksioneve të armatës izraelite. 

Takimi mes dy liderëve, gjithashtu, ka për qëllim t’i përgatisë bisedimet e ardhshme mes Izraelit dhe grupacionit islamist palestinez Hamas për vazhdimin e armëpushimit në Gazë.

Netanjahu do të takohet edhe me të dërguarin e posaçëm amerikan për Lindjen e Mesme, Stiv Uitkof, i cili luajti rol kyç në shkëmbimin aktual të pengjeve izraelite për të burgosur palestinezë. 

Sipas raporteve të mediave, Trampi dhe Netanjahu gjithashtu do të bëjnë përpjekje të arrijnë progres drejt arritjes së marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Izraelit dhe Arabisë Saudite. fc/

Fotografia: Arkivi 

QËNDRONI TË LIDHUR