Kristof Le Rigoler për MIA: Të jemi realistë, nuk mund të ketë garanci absolute për rezultatin e procesit të eurointegrimeve
- Franca mbështet integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe është e gatshme të ofrojë të gjithë ndihmën e saj për të kapërcyer bllokadat aktuale. Detyrimet e marra duhet të respektohen. Është e nevojshme të jemi realistë dhe të kuptojmë se nuk mund të ketë garanci absolute për rezultatin e procesit të integrimit, i cili për nga natyra e tij është kompleks, pasi kërkon pëlqimin e të gjitha vendeve anëtare, thotë ambasadori i Francës Kristof Le Rigoler në intervistë për MIA-n.
- Post By Sara Ademi
- 10:58, 23 nëntor, 2024
Shkup, 23 nëntor 2024 (MIA) - Franca mbështet integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe është e gatshme të ofrojë të gjithë ndihmën e saj për të kapërcyer bllokadat aktuale. Detyrimet e marra duhet të respektohen. Është e nevojshme të jemi realistë dhe të kuptojmë se nuk mund të ketë garanci absolute për rezultatin e procesit të integrimit, i cili për nga natyra e tij është kompleks, pasi kërkon pëlqimin e të gjitha vendeve anëtare, thotë ambasadori i Francës Kristof Le Rigoler në intervistë për MIA-n.
"Në kuadër të Strategjisë së saj për Ballkanin Perëndimor, për Francën, integrimi i rajonit është prioritet. Prandaj, Franca mbështet plotësisht dhe do të vazhdojë ta mbështesë procesin që çon në integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, ajo është e gatshme të japë të gjithë ndihmën e saj për të kapërcyer bllokimet aktuale. Detyrimet e marra duhet të respektohen. Megjithatë, nuk jemi indiferentë ndaj ndjeshmërisë së temës", thotë ambasadori francez Le Rogoler i pyetur nëse ka mundësi ndërmjetësimi francez dhe në lidhje me "propozimin francez plus", për ndryshime kushtetuese me efekt të vonuar deri në fund të negociatave, për të cilat Qeveria e Maqedonisë bën përpjekje.
Sipas tij, duhet të jemi realist se nuk ka garanci absolute për rezultatin e procesit të integrimit në BE, për shkak të kompleksitetit dhe vendimmarrjes me konsensus.
"Është e nevojshme të jemi realist dhe të kuptojmë se nuk mund të ketë garanci absolute për rezultatin e procesit të integrimit, i cili për nga natyra e tij është komplekse, pasi kërkon pëlqimin e të gjitha shteteve anëtare. Megjithatë, Franca është e gatshme të punojë dhe të përdorë fuqinë e saj të bindjes për të siguruar ecurinë e procesit të integrimit, në interes të Bashkimit Evropian dhe të gjithë rajonit juglindor të Evropës", nënvizon ambasadori Le Rigoler.
Në pritje të përbërjes së re të KE-së dhe reformave të paralajmëruara të BE-së, ai ka qëndrim lidhur me pyetjen nëse po shqyrtohet ndryshimi i konsensusit si parim vendimmarrës i Unionit.
"Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës kanë qenë gjithmonë shumë kreativë kur bëhet fjalë për gjetjen e një zgjidhjeje për të kapërcyer situatat e bllokimit. Megjithatë, nuk ka një mekanizëm formal "27 minus 1" dhe për këtë arsye nuk mund të jetë një zgjidhje e institucionalizuar për ngërçin aktual. Vendimet për zgjerimin e Bashkimit Evropian udhëhiqen nga parimi i unanimitetit. Garancia më e mirë për Maqedoninë e Veriut është pa dyshim që të vazhdojë punën e përkushtuar ndaj reformave të saj, për të forcuar kandidaturën e saj, cilësia e së cilës do të njihet nga Komisioni Evropian dhe vendet anëtare", thotë ambasadori i ri francez.
Në intervistën, të cilën MIA do ta publikojë të plotë nesër, Le Rigoler, ndër të tjera, flet për mbështetjen e Parisit për agjendën reformuese të vendit, Planin e Rritjes së BP-së, për bashkëpunimin e dy vendeve në mbrojtje dhe siguri në kuadër të Aleanca e NATO-s, si dhe nëse priten ndryshime në marrëdhëniet amerikano-evropiane dhe prioritetet e Brukselit pas kthimit të Trampit në Shtëpinë e Bardhë. sa/
Foto: MIA