• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kreu i Pentagonit dënoi sulmet e Ukrainës ndaj rafinerive ruse

Kreu i Pentagonit dënoi sulmet e Ukrainës ndaj rafinerive ruse

Uashington, 10 prill 2024 (MIA) - Sulmet e Ukrainës ndaj rafinerive në Rusi mund të ndikojnë negativisht në tregjet botërore të energjisë, ndaj Kievi duhet të zgjedhë objektiva të tjera, deklaroi mbrëmë shefi i Pentagonit, Lojd Ostin.

"Këto sulme mund të krijojnë një efekt domino në situatën globale të energjetikës. Dhe, duke folur sinqerisht, mendoj se është më mirë që Ukraina të godasë objektiva taktike dhe operacionale që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në veprimet e vazhdueshme ushtarake", deklaroi Ostin mbrëmë në një seancë dëgjimore përpara Komitetit të forcave të armatosura të Senatit.

Tim Koton, senatori republikan komentoi për këtë se qëndrimi i Ostin vjen nga arsye thjesht politike. "Më duket se administrata e Bajdenit nuk dëshiron që çmimet e gazit dhe naftës të rriten në një vit zgjedhor," deklaroi Koton.

Uashingtoni deri më tani i ka bërë vazhdimisht thirrje Kievit që të ndalojë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Rusisë.

Që nga fillimi i vitit, Ukraina ka nisur një fushatë sulmesh me dronë në depot dhe rafineritë kryesore të gazit të Rusisë. Sulmi i fundit ndodhi javën e kaluar në një nga rafineritë më të mëdha të vendit të vendosura në Tatarstan dhe më shumë se 1300 kilometra nga fusha e betejës në Ukrainë.

Sulmet shkaktuan dëme serioze në rafineritë ruse dhe prodhimin e karburantit. Sipas disa mediave perëndimore, prodhimi i benzinës në muajin mars u ul për 10 për qind, ndërsa prodhimi i naftës për katër për qind. Analistët parashikojnë se tregu i brendshëm i vendit mund të përballet me mungesë benzine në maj. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR