Krerët e NATO-s tubohen për Samitin treditor në Uashington
- Nesër, në Uashington fillon takimi treditor i krerëve të shteteve ose qeverive të vendeve anëtare të NATO-s për të shënuar 75 vjetorin e themelimit të Aleancës në vitin 1949. Në Samit do të marrë pjesë edhe delegacioni maqedonas i kryesuar nga kryeministri Hristijan Mickoski.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 18:10, 8 korrik, 2024
Bruksel, 8 korrik 2024 (MIA) - Nesër, në Uashington fillon takimi treditor i krerëve të shteteve ose qeverive të vendeve anëtare të NATO-s për të shënuar 75 vjetorin e themelimit të Aleancës në vitin 1949. Në Samit do të marrë pjesë edhe delegacioni maqedonas i kryesuar nga kryeministri Hristijan Mickoski.
Sipas paralajmërimeve, temat kryesore të takimit do të jenë mbështetja për Ukrainën, planet për të penguar dhe mbrojtur Paktin, forcimi i industrisë së mbrojtjes dhe investimet dhe forcimi i partneriteteve globale, por me qëllimin kryesor të manifestimit të unitetit mes aleatëve
Samiti vjen në një kohë kur forcat ruse po përparojnë përgjatë vijës së frontit në Ukrainën lindore, kur aleatët evropianë po bëjnë përpjekje për të rifokusuar ekonominë në baza mbrojtëse dhe mes zgjedhjeve në disa vende kryesore anëtare.
Në situatë të tillë, detyra kryesore e takimit do të jetë gjetja e mënyrave dhe mjeteve të reja për të mbështetur Ukrainën, jo vetëm me fjalë, por duke ndërmarrë angazhime konkrete.
Anëtarët e NATO-s ranë dakord të ofrojnë ndihmë ushtarake me vlerë 40 miliardë euro për vitin e ardhshëm, si dhe t'i sigurojnë Ukrainës sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore, pasi Kievi ka këmbëngulur muajt e fundit për mbështetje më të madhe për mbrojtje kundër sulmeve ruse me raketa dhe dronë ndaj infrastrukturës kritike dhe civile të Ukrainës.
Këtu hyn në lojë çështja e anëtarësimit të Ukrainës në NATO. Në prag të samitit, kishte debat për formulimin e mbështetjes së anëtarëve të NATO-s për anëtarësimin e ardhshëm të Ukrainës në Aleancë, me vijën e kuqe se nuk ka pranim të vendit në Pakt derisa të përfundojë konflikti në territorin ukrainas.
Me këtë ndërlidhet edhe vija e dytë e kuqe se NATO nuk do të dërgojë forcat e saj në terren në Ukrainë.
Pritet që krerët e NATO-s pritet të zotohen edhe për të mbështetur industrinë e mbrojtjes dhe për të përpiluar strategji kombëtare për prodhimin e armëve, qëllimi kryesor i të cilave do të jetë forcimi i kapaciteteve industriale kombëtare, por edhe standardizimi më i rreptë i municioneve për të siguruar ndërveprimin e tyre në fushëbetejë. Sipas të dhënave, aktualisht 14 anëtarë devijojnë nga rregullat e Aleancës në këtë fushë.
Nevoja për të forcuar industrinë e mbrojtjes lindi si pasojë e pushtimit rus të Ukrainës, me ç'rast anëtarët e NATO-s gjetën veten para detyrës për rtë plotësuar rezervat e tyre të armëve dhe municioneve, të cilat kishin qenë në rënie të vazhdueshme që nga fundi i Luftës së ftohtë dhe në të njëjtën kohë sigurimi i sistemeve të mbrojtjes, granatave dhe municioneve për forcat mbrojtëse të Ukrainës nga agresionit rus.
Përveç financimit të sektorit të mbrojtjes, pritet t'i kushtohet vëmendje tërheqjes së më shumë investitorëve privatë në këtë fushë dhe sigurimit të qasjes më të madhe të industrisë ushtarake në mjetet për inovacion dhe zhvillim.
Çështja e shpenzimeve ushtarake do të jetë gjithashtu e domosdoshme në lidhje me qëllimin e alokimit të mjeteve që arrijnë të paktën dy për qind të PBB-së për mbrojtjen. Sipas të dhënave, gjithsej 23 nga 32 anëtarët e NATO-s, duke përfshirë Maqedoninë e Veriut, në vitin 2024 e arritën këtë qëllim ose do ta arrijnë atë deri në fund të vitit, që është më shumë se dy herë më shumë se vitin e kaluar, kur kërkesa u përmbush nga vetëm 10 aleatë.
Vendi me mjetet e ndara për mbrojtje prej 2,22 për qind është në vendin e 11-të sipas shumës së normës së mjeteve nga PBB-ja. “Kampion” në këtë klasifikim është Polonia me 4,12 për qind të PBB-së, përpara Estonisë me 3,43, SHBA-ja me 3,38 dhe Letonia me 3,15 për qind. Më tuitje në vendin e dhjetë pason Greqia me 3,08 për qind të PBB-së, Lituania me 2,85 për qind, Finlanda me 2,41 për qind, Danimarka me 2,37 për qind, Mbretëria e Bashkuar me 2,33 për qind dhe Rumania me 2,25 për qind.
Pas vendit, Norvegjia renditet e 12-ta me shpenzimet e mbrojtjes prej 2,20 për qind të PBB-së, përpara Bullgarisë me 2,18, Suedisë me 2,14, Gjermanisë me 2,12, Hungarisë me 2,11, Republikës Çeke me 2,10, Turqisë me 2,09, Francës me 2,06, Holandës me 2,05, Shqipërisë me 2,03, Malit të Zi me 2,02 dhe Sllovakisë me dy për qind, si vendi i fundit i 23-të aleat që ka arritur pragun prej dy për qind.
Nën pragun edhe më tutje mbetet Kroacia me 1,81 për qind, Portugalia me 1,55, Italia me 1,49, Kanadaja me 1,37, Belgjika me 1,30, Luksemburgu dhe Sllovenia me nga 1,29 dhe Spanja me 1,28 për qind të PBB-së të ndara për shpenzimet e mbrojtjes.
Në disa qarqe është përmendur tashmë ideja e zhvendosjes së objektivit në tre përqind të PBB-së, por sipas burimeve diplomatike, tani për tani kjo mbetet vetëm "perspektivë e largët".
Përveç krerëve të anëtareve të NATO-s, në Samit do të marrin pjesë edhe përfaqësues të nivelit të lartë të BE-së dhe vendeve partnere, kryesisht ata nga Indo-Paqësori, si mysafirë, si pjesë e përpjekjeve për të forcuar partneritetet globale të Aleancës me vendet e këtij rajoni.
Ndryshe, ky do të jetë Samiti i fundit i sekretarit të përgjithshëm aktual të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili në tetor do t'ia dorëzojë këtë detyrë ish-kryeministrit holandez Mark Rute.
Stoltenbergu të premten paralajmëroi se Samiti do të diskutojë për forcimin e zbrapsjes dhe mbrojtjes, forcimin e bashkëpunimit industrial të mbrojtjes transatlantike dhe rritjen e prodhimit të mbrojtjes dhe forcimin e partneriteteve globale, por se "detyra më urgjente" do të jetë mbështetja e Ukrainës dhe se ai pret që krerët e anëtarëve të NATO-s të dakordojnë një "paketë të konsiderueshme" për Kievin.
"NATO do të marrë përsipër koordinimin dhe ofrimin e ndihmës më të madhe ndërkombëtare të sigurisë", tha Stoltenbergu, duke shtuar se pret që në Samitin të arrihet marrëveshje për ndihmën financiare dhe mbështetjen më të drejtpërdrejt ushtarake për Ukrainën, të lidhen më shumë marrëveshje dypalëshe të sigurisë midis vendeve anëtare dhe Kievit dhe të thellohet ndërveprimin ushtarak me vendin.
I pyetur nëse takimi do të ishte për "çështje të brendshme", siç janë rezervat e anëtarëve të caktuar ndaj mbështetjes së Ukrainës, rreziqet e hyrjes së të djathtës ekstreme në Qeverinë në Paris, varësia e Qeverisë spanjolle nga mbështetja e të majtëve ekstremë, epilogu i zgjedhjeve presidenciale në SHBA ose çështja e gjendjes shëndetësore të presidentit amerikan Xho Bajden, Stoltenberg u përgjigj në mënyrë diplomatike se samitet e NATO-s mbahen gjithmonë në kontekst të brendshëm politik, por se suksesi i saj rezulton nga fakti se "gjithmonë mbetet anash prej çështjeve të brendshme politike".
Foto: NATO