• e enjte, 06 mars 2025

Kremlini: Është e rëndësishme që dikush ta detyrojë Zelenskin të ndryshojë qëndrimin e tij

Kremlini: Është e rëndësishme që dikush ta detyrojë Zelenskin të ndryshojë qëndrimin e tij

Moskë, 3 mars 2025 (MIA) - Kremlini kumtoi sot se dikush duhet ta detyrojë presidentin ukrainas Volodimir Zelenski të bëjë paqe, pasi një debat me presidentin amerikan Donald Tramp në Zyrën Ovale tregoi se sa e vështirë është të gjendet mënyra për t'i dhënë fund luftës.

"Ajo që ndodhi të premten në Shtëpinë e Bardhë, natyrisht, tregon se sa e vështirë do të jetë të negociohet një rrugë drejt një zgjidhjeje në lidhje me Ukrainën," tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitrij Peskov.

Ai shtoi se “regjimi në Kiev” dhe Zelenski nuk duan paqe, por vazhdimin e luftës.

"Është shumë e rëndësishme që dikush ta detyrojë vetë Zelenskin të ndryshojë pozicionin e tij”, tha Peskov.

"Dikush duhet të sigurohet që Zelenski të (fillojë) ta dojë paqen. Nëse evropianët arrijnë ta bëjnë këtë, ata duhet të nderohen dhe lavdërohen", shtoi ai.

Presidenti rus Vladimir Putin dërgoi dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë në vitin 2022, duke çuar në përplasjen më të madhe midis Rusisë dhe Perëndimit që nga Lufta e Ftohtë.

Konflikti në Ukrainën lindore filloi në vitin 2014 pasi presidenti pro-rus u rrëzua në të ashtuquajturin Revolucioni i Dinjitetit, Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë dhe separatistët pro-rusë u përleshën me forcat e armatosura ukrainase.

Peskov tha se Putini ishte në dijeni të "ngjarjes së paprecedentë" në Zyrën Ovale, e cila, sipas mendimit të tij, të paktën tregon mungesën e aftësive diplomatike të Zelenskit.

"Ne pamë gjithashtu se Perëndimi kolektiv po fillonte pjesërisht të humbiste kolektivitetin e tij dhe se copëtimi i Perëndimit kolektiv kishte filluar," tha Peskov. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR