Kremlin: Putin dhe Vitkof diskutuan për kushtet për arritjen e paqes në Ukrainë
- Presidenti rus Vladimir Putin dhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Stiven Vitkof, kanë diskutuar dje në Shën Petersburg për kushtet për arritjen e paqes në Ukrainë, kumtoi Kremlini.

Moskë, 12 prill 2025 (MIA) - Presidenti rus Vladimir Putin dhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Stiven Vitkof, kanë diskutuar dje në Shën Petersburg për kushtet për arritjen e paqes në Ukrainë, kumtoi Kremlini.
Në kumtesë theksohet se takimi mes Putinit dhe Vitkof në ndërtesën e bibliotekës presidenciale në Shën Petersburg ka zgjatur rreth 4.5 orë, transmetuan mediat ruse.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se vizita e Vitkofit në Rusi është një tjetër hap drejt një armëpushimi në Ukrainë që duhet të çojë në një marrëveshje paqeje.
Në të njëjtën kohë, mediat britanike, duke cituar zyrtarë amerikanë, publikuan se Vitkof i ka thënë Presidentit amerikan, Donald Tramp pas takimit me drejtorin e përgjithshëm të Fondit rus për investime direkte, Kirill Dmitriev, javën e kaluar se mënyra më e shpejtë për të arritur një armëpushim në Ukrainë do të ishte njohja e kontrollit rus mbi katër rajone të reja.
Përfaqësuesit zyrtarë deklaruan se i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Kit Kelog në takim u deklarua kundër tezës së Vitkof.
Kelog theksoi se Ukraina nuk do të heqë dorë nga pretendimet e saj për territoret mbi të cilat Rusia ka marrë kontrollin, thanë zyrtarët amerikanë, duke vënë në dukje se takimi përfundoi pa marrë një vendim Trampi për të ndryshuar strategjinë amerikane.
Vitkof paraprakisht deklaroi se SHBA-ja beson se çështja kryesore në konfliktin në Ukrainë është statusi i rajoneve të aneksuara nga Rusia dhe njohja e tyre ndërkombëtare.
Nënpresidenti amerikan Xhej-Di Vens doli në mbrojtje të Vitkofit, duke thënë se ai po bënte "një punë të jashtëzakonshme".
Mediat britanike gjithashtu, duke cituar diplomatë të lartë perëndimorë të paidentifikuar, publikuan se Shtetet e Bashkuara nuk kanë një plan të qartë për avancimin e negociatave për zgjidhjen e konfliktit ukrainas.
Një nga diplomatët deklaroi se po dëgjohen deklarata kontradiktore nga zyrtarë të ndryshëm amerikanë dhe se kjo përforcon ndjenjën se nuk ka një plan real për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.
Një burim i paidentifikuar deklaroi se Komiteti i Sigurisë Kombëtare të SHBA mbajti vetëm një takim për konfliktin në Ukrainë, ku zakonisht marrin pjesë këshilltarët më të lartë të Trampit për sigurinë kombëtare.
Kjo është në kundërshtim me praktikën e zakonshme të Shtëpisë së Bardhë dhe rezultati është një konfuzion i madh brenda administratës amerikane dhe mes aleatëve në Evropë lidhur me drejtimin e negociatave të paqes, theksojnë mediat britanike. ls/