"Krejt e thirrin Rexhën" i Ibër Dearit është shpallur filmi më i mirë në festivalin BIFF në kategorinë "Meridiana"
- – Pas rreth tre muajve nga premiera në vend, filmi “Krejt e thirrin Rexhën”, në regji dhe skenar të Ibër Dearit, që u shfaq në kinematë e rajonit e përjetoi edhe premierën botërore.
- Post By Fitore Curri
- 09:54, 1 prill, 2025

Shkup, 1 prill 2025 (MIA) – Pas rreth tre muajve nga premiera në vend, filmi “Krejt e thirrin Rexhën”, në regji dhe skenar të Ibër Dearit, që u shfaq në kinematë e rajonit e përjetoi edhe premierën botërore.
Në festivalin ndërkombëtar BIFF në Bari të Italisë, filmi debutues i Dearit e fitoi çmimin – filmi më i mirë në kategorinë “Meridiana” kushtuar filmave nga rajoni i Mesdheut, njoftoi Produksioni Manufaktura.
Juria e ndau njëzëri çmimin, duke u shprehur se “filmi shquhet për mjeshtërinë e tij në vizualizimin e historisë së rezistencës dhe shpresës, për montazhin inteligjent, ashpërsinë e regjisë, kompleksitetin e interpretimeve të aktrimit, si dhe për skenarin delikat dhe ironik që tregon me mjeshtëri një histori rezistence dhe shprese”.
Çmimin e pranoi regjisori Ibër Deari i shoqëruar nga aktorët kryesorë Afrim Muçaj, i cili e luan rolin e Rexhës, si dhe Adriana Matoshi, e cila e luan rolin e Hirës.
Festivali kishte dy programe garuese: garë ndërkombëtare kushtuar kinemasë në vendet e Mesdheut (Meridiana) ndërsa tjetra, i kinematografisë italiane, në të cilën ishin përfshirë edhe filma artistikë dhe dokumentarë.
Filmi “Krejt e thirrin Rexhën” është në produksion të Produksionit Manufaktura nga Shkupi dhe është mbështetur nga Agjencia e Filmit e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Producent i filmit është Sasho Pavllovski, xhirues Dario Sekullovski, montazhi është i Avdi Thaçit, muzika e Darko Spasovskit dhe Igor Vasilev Novogradska, kostumet Zhaklina Kërstevska, grimi Zhaneta Dimitrievska, ndërsa Adrian Kadriu ishte i angazhuar për skenografinë: Producent i është Ilia Ciriviri, ndërsa bashkëskenarist është Artin Selmani. fc/
Foto: https://bifest.it/premi-meridiana-bifst-2025/