• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kovaçevski: Takimi mes Gashit dhe Zaevit është miqësor, mes njerëzve të cilët kanë bashkëpunuar në kuadër të Qeverisë

Kovaçevski: Takimi mes Gashit dhe Zaevit është miqësor, mes njerëzve të cilët kanë bashkëpunuar në kuadër të Qeverisë

Shkup, 13 mars 2023 (MIA) - Si takim miqësor mes njerëzve të cilët kanë bashkëpunuar, në kuadër të Qeverisë, e vlerësoi kryeministri Dimitar Kovaçevski takimin mes paraardhësit të tij Zoran Zaev dhe kryetarit të Alternativës, Afrim Gashi.

"Ky është takim miqësor i njerëzve të cilët kanë bashkëpunuar si pjesë e Qeverisë dhe normalisht është që njerëzit të cilët janë miq mes vete të takohen. Kjo është njëlloj si unë kur kam pasur takime kur nuk kam qenë kryeministër, kur takohem tani derisa jam kryeministër dhe si do të takohem mëtej në karrierën time", deklaroi sot Kovaçevski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas përfundimit të seancës së Këshillit ekonomiko-social.

Gashi këtë fundjavë me publikim në Fejsbuk e konfirmoi informatën për takimin e tij me ish kryeministrin dhe ish liderin e LSDM-së, Zoran Zaev.

"Si lider i Alternativës, kam mandat dhe detyrë të takohem me të gjithë aktorët politikë në vend. Kështu kam vepruar gjithnjë dhe kështu do të veproj edhe në të ardhmen. Rrjedhimisht, nuk ka asgjë të veçantë dhe të mistershme në takimin me ish kryeministrin Zoran Zaev. E kuptoj interesin e mediave për këtë takim, por mendoj se pyetja themelore nuk është se me kë, ku e për çfarë takohem unë, por pse, me çfarë urdhri dhe cila është frika e shërbimeve LSDM-BDI që më ndjekin", ka shkruar Gashi në profilin e tij në Fejsbuk.

Deputeti i pavarur dhe ish anëtar i Alternativës, Skender Rexhepi - Zejd, paraprakisht në Fejsbuk publikoi fotografi nga takimi i Zaevit dhe Gashit në Strumicë.

Rexhepi u bë anëtar i pavarur pasi në qershor vitin e kaluar e ka braktisur grupin e deputetëve të Alternativës, parti që deri paradokohe ishte partner i koalicionit të SLDM-së.

Alternativa e ka braktisur Qeverinë, pasi Aleanca për Shqiptarët me rikonstruim u bë partner i ri koalicioni i Qeverisë. bsh/

Foto: MIA arkiv

QËNDRONI TË LIDHUR