• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kovaçevski: Qeveria është kategorikisht e vendosur për të përmirësuar kushtet e brendshme

Kovaçevski: Qeveria është kategorikisht e vendosur për të përmirësuar kushtet e brendshme

Shkup, 22 qershor 2023 (MIA) - Kryetari i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski, gjatë vizitës së sotme në kompaninë SH.A. Evropa tha se do të vazhdojë fuqishëm me mbështetjen e kompanive vendase dhe standardin e qytetarëve dhe se Qeveria është kategorikisht e vendosur për të përmirësuar kushtet e brendshme, për të hapur më shumë tregje të reja rajonale, evropiane dhe botërore për qytetarët dhe kompanitë.

"Anëtarësimi në NATO hapi dyert për investime të reja sepse investitorët duan mbi të gjitha sigurinë, ndërsa me përparimin e mëtejshëm të integrimeve evropiane ne do ta sjellim Evropën në shtëpi dhe do t'i mbajmë të rinjtë në vendin e tyre të lindjes që me potencialin e tyre krijues dhe energjinë rinore ta zhvillojnë Republikën e Maqedonisë së Veriut", theksoi kryeministri Kovaçevski.

Ai kujtoi se në bazë të ligjit për mbështetjen financiare të investimeve të inicuar në vitin 2018, vetëm vitin e kaluar shteti ka siguruar 23 milionë euro ndihmë direkte financiare për mbi 410 kompani, që siç tha ai është mbështetja më e madhe shtetërore për kompanitë vendase deri tani që nga pavarësia e shtetit.

"Enti Shtetëror i Statistikës para tri ditësh njoftoi se paga mesatare neto e paguar për punonjës në prill të vitit 2023 ka kaluar 36 mijë denarë, ndërsa për krahasim në vitin 2017 ishte 22.500 denarë. Paga minimale nga marsi i këtij viti është mbi 20 mijë denarë, ndërsa në vitin 2017 ishte 12 mijë denarë", theksoi kryeministri.

Ai shtoi se vitin e kaluar, krahas krizës më të madhe ekonomike dhe energjetike me të cilën u përball bota, vendi e mbylli vitin me një rekord historik të investimeve të huaja direkte në vend në vlerë prej 753 milionë euro.

Ai gjithashtu informoi se papunësia në vitet e kaluara është ulur për 8 për qind, ndërsa shkalla e punësimit është rritur për 9.5 për qind. Inflacioni i cili ishte 19.8 për qind në tetor 2022 tashmë ka rënë në nivelin 11 për qind dhe tha se pritet të bjerë deri në fund të vitit 2023 dhe të jetë në përputhje me Bankën Kombëtare dhe Ministrinë e Financave dhe të ulet në nivelin prej 8 për qind.

Zëvendëskryeministri përgjegjës për çështjet ekonomike dhe investimet, Fatmir Bytyqi, theksoi se Qeveria u ofron mbështetje kompanive vendore për integrimin e tyre në zinxhirët e vlerës globale, përkatësisht aftësinë e tyre për të krijuar vlerë shtesë jo vetëm në tregun e brendshëm, por edhe në atë rajonal dhe tregjet globale.

"Ne si Qeveri kemi treguar në veprim se jemi të përkushtuar dhe këmbëngulës në synimin tonë për të mbështetur në mënyrë transparente kompanitë vendase në përpjekjet e tyre për përmirësimin e prodhimit dhe konkurrencës, që do të rezultojë në hapjen e vendeve të reja të punës", tha Bytyqi.

Rreth SH.A Evropa, tha ai, është një kompani, veprimet e së cilës janë tregues i qartë i suksesit të politikave ekonomike të Qeverisë, të cilat zbatohen përmes Ligjit për mbështetjen financiare të investimeve.

"Nëpërmjet Ligjit për Mbështetjen Financiare të Investimeve, ne krijojmë besim tek kompanitë dhe i stimulojmë ato që të hyjnë në cikle të reja investimi, siç është shembulli me Evropën, e cila pas përfundimit të projektit të parë investues në vitin 2019, nënshkroi kontratën e dytë qË përfundon në fund të këtij viti. Gjithsej ndihma shtetërore e paguar për dy ciklet është mbi 14 milionë e 300 mijë denarë përmes masave Mbështetje për rritjen e investimeve kapitale dhe të hyrave dhe Përkrahje për rritjen e konkurrencës në treg", tha Bytyqi.

Drejtoresha e përgjithshme e SH.A Evropa, Marika Karaxhova, përshëndeti vizitën e kryeministrit Kovaçevski dhe zëvendëskryeministrit Bytyqi dhe theksoi se gjatë krizës katërvjeçare ata mësuan se si të reagojnë shpejt ndaj ndryshimeve dhe sfidave, por theksoi se këtë nuk mund ta arrinin të vetëm pa mbështetjen e autoriteteve.

SH.A. Evropa, e cila u hap në vitin 1882, ekziston në vendin tonë prej 140 vitesh dhe njihet për prodhimin e produkteve të çokollatës, lokumit dhe ëmbëlsirave. ls/

 

QËNDRONI TË LIDHUR