• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Kovaçevski: Ne jemi gati për BE-në, na pret punë e palodhur dhe e përkushtuar në reformat

Kovaçevski: Ne jemi gati për BE-në, na pret punë e palodhur dhe e përkushtuar në reformat
Shkup, 20 korrik 2022 (MIA) – Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski sonte organizoi pritje me rastin e fillimit të bisedimeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian. Në takimin në të cilin ishte i pranishëm kreu shtetëror-qeveritar, deputetë, ambasadorë të vendeve anëtare të BE-së, faktorë politikë, përfaqësues të shoqërisë civile, të mediave dhe afaristë, kryeministri Kovaçevski iu drejtua të pranishmëve. Ai gjithashtu i uroi qytetarët për fillimin zyrtar të bisedimeve mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian. "Më në fund pas 17 vitesh hapet procesi për pranimin e Maqedonisë së Veriut në familjen e madhe evropiane. Dje hapëm kapitull të ri në historinë e Maqedonisë. Kapitull evropian që do të sjellë zhvillim të përshpejtuar, prosperitet dhe stabilitet", tha kryeministri në fjalimin e tij. Ai falënderoi qytetarët, për qëndrueshmërinë dhe vizionin për ardhmëri evropiane nga e cila nuk hoqën dorë. Janë ata, theksoi Kovaçevski, të cilët janë më meritorët që jemi këtu ku jemi sot. Ata, theksoi ai, nuk u dorëzuan para asnjë sfide për të përmbushur ëndrrën e tyre për të qenë pjesë e familjes evropiane. “Kjo rrugë nuk ka qenë e lehtë dhe të gjithë jemi të vetëdijshëm për këtë, prandaj ju falënderoj sinqerisht të gjithëve për angazhimin, përkushtimin dhe mbështetjen tuaj vetëmohuese dhe ju inkurajoj që të qëndroni të angazhuar edhe në periudhën e ardhshme. Mbështetja juaj do të vazhdojë të jetë e paçmueshme, veçanërisht që tani duhet t'i përfshijmë të gjitha kapacitetet në dispozicion dhe të punojmë me përkushtim të jashtëzakonshëm në mënyrë që të kemi integrim sa më të shpejtë të mundshëm në Bashkimin Evropian", i porositi të pranishmit kryeministri Kovaçevski. Kemi pasur shumë sfida, por siç thashë edhe dje, bëri të ditur ai, ne vendosëm të përballemi me të gjitha druajtjet tona dhe të marrim vendime të guximshme për të ardhmen dhe të mos mbetemi peng i së kaluarës. Vendosëm të jemi të vendosur, të guximshëm, të urtë dhe vetëmohues, të mos mendojmë për ne, por për gjeneratat e ardhshme, për të menduar për shtetin tonë dhe për paqen, sigurinë, stabilitetin dhe të ardhmen. "Për mua, forma më e lartë e patriotizmit është marrja e vendimeve si burrështetas dhe progresive, duke pasur me këtë rast vizion dhe plan të qartë për të ardhmen, si dhe angazhim të sinqertë për prosperitetin e shtetit dhe të gjithë qytetarëve. Kjo është forma më e pastër dhe më e sinqertë e respektit dhe dashurisë ndaj atdheut", theksoi Kovaçevski. Të udhëhequr nga ky parim i sjelljes patriotike dhe si burrështetas, shtoi ai, morëm vendimin përfundimtar me të cilin siguruam ruajtjen dhe forcimin e identitetit maqedonas, gjuhës, kulturës dhe veçantisë maqedonase, e njëherësh siguruam edhe fillimin e bisedimeve. "Ju siguroj, e këtë e kanë konfirmuar në disa raste edhe përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian, edhe këtu në shtëpi te ne, por edhe dje në Bruksel, se pozicionet tona janë ruajtur dhe konfirmuar. Bashkimi Evropian na pranon si maqedonas që flasin gjuhën maqedonase me respekt të pakushtëzuar të dinjitetit dhe veçantisë së popullit maqedonas dhe veçoritë e tij të identitetit, historike dhe kulturore. Ishim të qartë dhe të zëshëm se për këto gjëra as nuk bisedohet, e as që do të bisedohet", theksoi në fjalimin e tij kryeministri Kovaçevski. Presidentja Fon der Lajen, u përqendrua Kovaçevski, dje e mbështeti qartë dhe pa mëdyshje pozicionin tonë dhe na siguroi, njëjtë siç e bëri atë në Kuvend, se gjuha jonë maqedonase do të vlerësohet dhe respektohet edhe në të ardhmen, e njëherësh do të përjetojë zhvillimin dhe promovimin përmes përdorimit të tij si një nga gjuhët zyrtare të Bashkimit pas anëtarësimit tonë të plotë. “Identiteti ynë, jo vetëm që do të mbrohet, por edhe do të pasurohet dhe do të pasurojë identitetin kompleks evropian, siç theksoi përfaqësuesi i lartë Borrell në fjalën e tij dje. Ajo që na përcakton neve, veçoritë tona, specifikat, tradita, kultura, zakonet tona do të jenë autentike tonat, maqedonase, por të ndara me të gjithë miqtë tanë në Bashkimin Evropian. Kjo do të na bëjë ne dhe Bashkimin Evropian më të pasur", ishte decid Kovaçevski. Sipas tij, dita e djeshme ishte historike. E di që e kemi përmendur disa herë këtë fjalë, por, thekson ai, me të vërtetë është e tillë. Në historinë e çdo vendi, tha Kovaçevski, ka disa momente vendimtare, e dita e djeshme ishte pikërisht e tillë. Dje, para 27 vendeve anëtare, i rrethuar me mbështetje nga miqtë tanë evropianë, tha Kovaçevski, pata nderin e madh që në emër të qytetarëve të flas në gjuhën time amtare maqedonase në Këshillin e Bashkimit Evropian dhe të shpreh pozicionin tonë të qartë dhe të fortë aktual, por edhe vizionin tonë për të ardhmen. Mbështetja që morëm dje në sallë nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian, e veçanërisht nga vendet anëtare të rajonit, bëri të ditur kryeministri, na jep të drejtën e plotë të jemi plot shpresë dhe të bindur se nga e gjithë kjo, të gjithë ne së bashku do të dalim më të fortë, më të qëndrueshëm dhe do të ecim me shpejtësi përpara drejt një të ardhmeje të përbashkët më premtuese. Unë personalisht jam i bindur se qytetarët do të dalin fitimtarë nga kjo. "E thashë dje, do ta them edhe sot. Jemi gati për BE-në. Vendi ynë është Evropa në miniaturë. Ne e jetojmë çdo ditë moton e Bashkimit Evropian. Ne jemi shoqëri multikulturore dhe multietnike, jemi të bashkuar në dallimet tona, jemi krenarë për to, kjo është ajo që na bën më të fortë. Tani duhet ta funksionalizojmë atë gatishmëri dhe të ecim përpara në mënyrë të shpejtuar. Po vjen periudha e punës së palodhur. Edhe mua kjo më bën të lumtur. Nga sot fillon kapitull i ri i punës së palodhur dhe të përkushtuar për reformat, për harmonizimin e së drejtës sonë me atë evropiane, për zhvillimin ekonomik, politik, social, për cilësi më të lartë jetese, për standarde të larta për respektimin e shtetit të së drejtës", theksoi kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai shprehu bindjen se edhe ndihma e vazhdueshme dhe e shtuar që Bashkimi Evropian do ta sigurojë në periudhën e ardhshme do t'u mundësojë qytetarëve dhe ekonomisë së Maqedonisë të marrin mbështetje konkrete dhe reale. Në veçanti, siç tha ai, është e rëndësishme të jetohet realiteti evropian edhe sot. "U mbyll një kapitull, dhe po hapim një të ri. Prandaj, tani është koha kur duhet të qëndrojmë së bashku, të bashkuar, plot optimizëm dhe besim për një të nesërme më të mirë, në mënyrë që të bashkojmë forcat dhe bashkërisht t'i përkushtohemi zhvillimit të një shteti evropian të fortë, të suksesshëm dhe prosperues. Tani është koha për guxim, përkushtim dhe pamje të qartë drejt së ardhmes që të realizojmë shpejt dhe me vendosmëri ëndrrën e gjeneratës sonë, si dhe ëndrrën e ilindenasve dhe luftëtarëve nga LNÇ-ja. Të bashkohemi dhe të qëndrojmë së bashku, sepse vetëm së bashku jemi më të fortë. Më të fortë dhe më të gatshëm për të tejkaluar të gjitha sfidat që na qëndrojnë në rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotfuqishëm dhe ardhmërisë sonë evropiane", u shpreh Kovaçevski. Na qoftë me fat fillimi i bisedimeve për anëtarësim, theksoi Kovaçevski para të pranishmëve dhe porositi që të vazhdojmë të jemi të zellshëm, cilësor dhe plot mirëkuptim për diversitetet, të ndajmë vlerat evropiane dhe të gjithë së bashku t'i gëzohemi anëtarësimit të plotfuqishëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian sa më shpejt.

QËNDRONI TË LIDHUR