• e martë, 05 nëntor 2024

Kovaçevski: Ndryshimet në Kodin Penal janë bërë në përputhje me legjislacionin e BE-së

Kovaçevski: Ndryshimet në Kodin Penal janë bërë në përputhje me legjislacionin e BE-së

Shkup, 13 shtator 2023 (MIA) - Kryeministri Dimitar Kovaçaçevski sot përsëriti se ndryshimet në Kodin Penal, për të cilat në opinion kishte vërejtje se janë miratuar në mënyrë të shpejtë dhe pa debat paraprak publik, janë miratuar për të ndihmuar në rritjen e efektivitetin dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor.

Ai duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, pas inspektimit në fillimin e punimeve për ndërtimin e pishinës së mbyllur në Komunën e Karposhit, deklaroi se nuk ka pasur keqpërdorim të flamurit evropian gjatë miratimit të ndryshimeve, të cilat sipas tij janë bërë në përputhje me legjislacioni në BE.

Kryeministri tha gjithashtu se nuk ka asgjë të diskutueshme për sa i përket tajmingut, përkatësisht miratimit të tyre në një periudhë kur po bëhet përpjekje për të siguruar shumicën për ndryshimet kushtetuese, duke theksuar se nuk ka ndodhur asgjë dramatike që nga miratimi i ligjit dhe kjo tregon se nuk është e miratuar për diçka apo për dikë, por për të rritur efikasitetin e sistemit.

"Nëse dikush flet me BE-në në nivel ditor, atëherë është Maqedonia e Veriut, sepse ne dhe Shqipëria aktualisht po bëjmë një proces skriningu me BE-në. Të gjitha proceset që zhvillohen në vendin tonë janë në një farë mënyre të komunikuara me BE-në. Në vendin tonë shpesh vërehet ngadalësia, me të drejtë, sepse shumica e gjërave në shumë fusha ecin ngadalë dhe kur diçka shkon shpejt, nuk mendoj se duhet vënë re edhe aq. Ajo që pashë nga Ambasada Amerikane është se ata thanë se do ta shqyrtojnë atë që është miratuar, të njëjtën gjë tha edhe BE-ja", theksoi Kovaçevski.

Ai bëri krahasime me legjislacionin gjerman dhe atë slloven, duke theksuar se këta janë shembuj nga të cilët janë udhëhequr.

Ai tha se përfitimet nga ndryshimet janë vendosja e konfiskimit të zgjatur, përkatësisht thjeshtësimi i procedurës për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme, si dhe shkurtimi i kohës së zhvillimit të lëndëve gjyqësore. Ai theksoi se edhe me Kodin e ri Penal, i cili ende nuk ka hyrë në procedurë qeveritare, do të bëhet një klasifikim i detajuar i veprave penale, në bazë të të cilit dikush mund të ndiqet penalisht.

"Kur bëhet fjalë për akte të paligjshme, për një kohë të gjatë në vendin tonë, një numër i madh i akteve të kundërligjshme u sollën nën të njëjtin nen të përgjithshëm, sipas të cilit do të akuzoheshin një duzinë persona dhe pastaj të gjithë pyesnin se ku ishte e gjithë çështja. Tashmë dhe me Kodin e ri Penal, i cili është në përgatitje e sipër dhe që besoj se së shpejti do të hyjë në procedurë parlamentare, janë përcaktuar 422 vepra penale në bazë të të cilave mund të ndiqet penalisht kushdo që ka abuzuar me detyrën e caktuar apo ka shkelur ligjin", deklaroi kryeministri. 

Lidhur me atë nëse këto ndryshime do të mbulojnë edhe rastin me 27 prillin, Kovaçevski tha se për këtë çështje detaje mund të japë Ministria e Drejtësisë.

"Është fakt që burgjet janë të mbipopulluara, ka instrumente të tjera në botë përsa i përket dënimit. Ministria e Drejtësisë ka kohë që punon për atë zgjidhje ligjore dhe ministri Lloga ka pasur një dalje publike dhe deri më tani nuk kam dëgjuar asnjë koment të keq, por kjo nuk do të mbulojë krimet që janë të natyrës më të rëndë dhe janë të shënuara saktësisht veprat të cilat janë pranuar. Shërbimi për shtyp i Ministrisë së Drejtësisë do t'ju informojë saktësisht për këtë çështje, rasti nuk quhet 27 prill, por për të ka një vepër konkrete", tha Kovaçevski.

Ambasadorja amerikane Anxhela Ageler dje dekaroi se ekipi ligjor i Ambasadës Amerikane po shqyrton ndryshimet në Kodin Penal.

"Kësaj pyetjeje iu përgjigjëm të premten, ekipi ligjor i Ambasadës Amerikane është duke i shqyrtuar, nuk i kam parë personalisht, kështu që nuk mund t'i komentoj dhe siç thamë në kumteslb e Departamentit të Shtetit, është e nevojshme të ndiqen procedurat e sistemit juridik të vendit, tha ambasadorja dje në nisjen e punimeve për ndërtimin e Korridorit 8.

Ambasadori evropian Dejvid Gir, dje tha se në Bruksel janë duke u shqyrtuar ndryshimet në Kodin Penal në vendin tonë.

"Mendoj se ato aktualisht janë duke u shqyrtuar nga kolegët tanë në Bruksel dhe besoj se së shpejti do të ketë përgjigje për këtë pyetje", u përgjigj Gir.

Kuvendi me flamur evropian dhe me procedurë të përshpejtuar javën e kaluar miratoi ndryshimet në Kodin Penal, me të cilat parashihen dënime më të ulëta për zyrtarët dhe funksionarët që keqpërdorin pozitën e tyre, ndërsa presidenti Stevo Pendarovski nënshkroi Dekretin për shpalljen e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal. ls/ 

QËNDRONI TË LIDHUR