• e mërkurë, 03 korrik 2024

Kovaçevski: Në mandatin e ardhshëm do të realizojmë proces të vetingut

Kovaçevski: Në mandatin e ardhshëm do të realizojmë proces të vetingut

Shkup, 26 dhjetor 2023 (MIA) - Nëse e kemi rastin të drejtojmë Qeverinë në mandatin e ardhshëm do ta realizojmë procesin e vetingut dhe jo vetëm ndaj funksionarëve të emëruar dhe të zgjedhur - nga kryeministri deri te ministrat, deri te doganat, gjykatat dhe prokurorët, deklaroi kryeministri Dimitar Kovaçevski në konferencën për media duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për të komentuar anketën sipas të cilës 80 për qind e qytetarëve konsiderojnë se korrupsioni është problemi më i madh në vend.

"Ka një proces që do të realizohet në vend, ai është procesi i vetingut të funksionarëve të emëruar dhe të zgjedhur, por ndoshta duhet të shtrihet edhe te personat fizikë dhe juridikë. Shqipëria atë proces e ka zbatuar. Në vendin tonë Qeveria ka dashur ta zbatojë, por është penguar nga BE-ja, nuk e di për çfarë arsye. Megjithatë, nuk ka kush ta ndalë atë proces në zgjedhjet e ardhshme kur do të kemi përsëri nderin të udhëheqim qeverinë dhe në atë proces do të mund të identifikohet saktë se kush është për avancim dhe kush nuk mundet të kryejë funksion të caktuar dhe pastaj do të përfshihen të gjithë, jo vetëm për të pasur kryeministrin dhe ministrat çdo ditë në televizion dhe për çdo ditë të shihen listat e tyre anketuese, por duhet të shihen të gjithë- nga doganat, gjykatat e deri te prokuroritë", thotë Kovaçevski.

Sipas tij, është fakt që qytetarët e dinë saktësisht se çfarë duhet të rregullohet në vend, por poashtu thotë se është fakt që Qeveria punon në rregullimin dhe avancimin e sferave që janë të rëndësishme për qytetarët.

"E dini kur papunësia ishte një nga temat boshte që i preokuponte qytetarët, Qeveria me masa të suksesshme arriti të ulë papunësinë nga 25 për qind në 13 për qind e cila më vonë ra në 11 për qind. Kur flasim për të ardhurat e qytetarëve paga mesatare tashmë ka arritur nivelin prej 39.000 denarë. Dhe kjo është rritje e konsiderueshme, mbi 50 për qind krahasuar me atë që ishte shtatë vjet më parë. Pensionet janë rritur me 50 për qind. Standardi i studentëve është avancuar, ka racion për çdo student. Një numër i madh temash janë duke u zgjidhur", thekson ai.

Sa i përket luftës kundër krimit ai u referohet të dhënave të MPB-së, sipas të cilit zbulimi i veprave të tilla është rritur me 50 për qind në vitet e fundit.

"Vetëm vitin e kaluar ka mbi 168 persona fizikë dhe juridikë që janë identifikuar si kryerës të veprave të korrupsionit të lartë dhe janë proceduar deri te prokuroria dhe organet gjyqësore. Dhe këtu vijmë te ndarja e pushtetit - nuk mund qeveria t'u përgjigjet pyetjeve që janë në domenin e organeve të gjyqësisë. Çështja e fundit që duhet të merret parasysh është Misioni vlerësues i BE-së në sferën e Këshillit gjyqësor ku janë mbi 40 rekomandime që do të duhet të bëhen pjesë e Planit aksionar në sferën e sundimit të ligjit. Të gjitha ato 40 rekomandime e kanë mbështetjen time", ka thënë Kovaçevski në konferencën për media për mbështetjen e kompanive përmes Bankës Zhvillimore për rritjen ekonomike të shtetit.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR