• e hënë, 23 dhjetor 2024

"KOSTAL Maqedoni" me cikël të ri investimesh në vlerë prej afro 50 milionë euro

Shkup, 5 qershor 2023 (MIA) - Investimi i ri, i treti me radhë i kompanisë gjermane për përpunimin e pjesëve dhe komponentave për industrinë automobilistike "Kostal", e cila këtë vit në vendin tonë shënon ekzistimin shtatëvjeçar, ishte publikuar në takimin e sotëm të kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe zëvendëskryeministrit për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi me përfaqësues të menaxhmentit të Grupacionit KOSTAL. 

Bëhet fjalë për projekt të ri investues i "KOSTAL Maqedoni", në Ohër për prodhimin e karikuesve për vetura elektrike dhe hibride, i cili realizohet në periudhën nga korriku i vitit 2023 deri në dhjetor të vitit 2026 në vlerë të përgjithshme prej afro 50 milionë euro.

"Bashkë me dy fazat paraprake, investimet e përgjithshme të realizuara të kompanisë në Maqedoni do të arrijnë 150 milionë euro. Numri i vendeve të punës të cilat do të hapen në mënyrë shtesë për këtë cikël të investimeve do të jetë mbi 300 persona", njoftoi shërbimi për informim i Qeverisë. 

Kryeministri Kovaçevski, shtohet në kumtesë, e përshëndeti investimin e ri të "KOSTAL Maqedoni", duke potencuar se zgjerimi i investimit të kësaj, si dhe në kompanive të tjera të themeluara nga investitorë të huaj në vend është tregues për politikat e mira të Qeverisë për krijimin e ambientit të favorshëm dhe të parashikueshëm për investim.

Me zgjerimin e investimeve ekzistuese dhe investimin në investime të reja, siç theksoi kryeministri Kovaçevski, dërgohet porosi e fuqishme në botë për mbështetjen të cilën Qeveria e siguron për investitorët aktual dhe potencialë.

Drejtori i "KOSTAL Maqedoni", Viktor Mizo informoi se deri më tani kompania ka investuar mbi 100 milionë euro në fabrikën në Ohër, ndërsa plani është që të fillohet me prodhimtarinë me vendosjen e teknologjive më të reja SAC (Smart Actuator Charging) dhe sisteme për karikim nga grupacioni Folsfagen, të cilët do të përfshihen në modelet më të reja të: Folsfagen, Shkoda, Audi dhe Porshe. 

"Sistemet e karikimit të këtyre markave botërore për të gjitha automjetet hibride dhe elektrike do të prodhohen në Republikën e Maqedonisë së Veriut. 'KOSTAL Maqedoni' do të bëhet lokacioni i vetëm global ku do të prodhohen këto sisteme elektroenergjetike, pavarësisht se ku do të montohen përfundimisht veturat", thonë nga Qeveria.

Në takim, drejtori Mizo e theksoi rëndësinë e ndihmës shtetërore të cilën "KOSTAL Maqedoni" e shfrytëzon që nga dita e parë e ekzistimit të saj, dhe deri më tani ka marrë ndihmë financiare në vlerë prej 12,5 milionë euro, ndërsa për momentin në këtë kompani punojnë 1.020 të punësuar me pagë mesatare larg mesatares në shtet. 
  
"KOSTAL Maqedoni" investon edhe në prodhimin e modeleve më të reja të çative të cilat e shfrytëzojnë teknologjinë e fundit SkinTec e cila përdoret për modelet më ekskluzive të Daimler siç janë: Mercedes EQS, EQE, C + S CLASS, AMG SL. fc/

Fotografia: Qeveria

 

QËNDRONI TË LIDHUR