• e shtunë, 04 janar 2025

"Kostal Makedonija" shpall investime dhe vende të reja të punës

Ohër, 27 nëntor 2024 (MIA) – Kryeministri Hristijan Mickoski sot në Ohër mori pjesë në fillimin e fazës së tretë të investimeve në kompaninë "Kostal Makedonija", për prodhimin e karikuesve për automjete elektrike dhe hibride me vlerë të pëegjithshme prej pothuajse 50 milionë euro.

Siç është theksuar, ajo planifikon të hapë linja të reja prodhimi, si dhe mbi 250 vende të reja pune.

"Investimet e deritanishme këtu janë mbresëlënëse. Mbresëlënëse janë planet për investime në të ardhmen, 50 milionë eurot e paralajmëruar gjatë katër viteve të ardhshme. Kjo do të thotë që ne si Qeveri duhet të kemi, por gjithashtu mendoj se kemi një qasje të veçantë ndaj investitorëve, qoftë të huaj apo vendorë. Këtë lloj investimesh duhet të mbështesim dhe të inkurajojmë që të investohet sa më shumë...Si Kryeministër, do të theksoj se gjithçka që mundemi si Qeveri për të qenë miq të biznesit, të ekonomisë, ne jemi duke e bërë dhe do të bëjmë. Patriotizmi modern i sotëm është pikërisht ky - investimi, sigurimi i vendeve të punës të paguara mirë dhe eksporti, në mënyrë që të mbetemi në radarin e investitorëve", tha kryeministri Mickoski.

Së bashku me dy fazat e mëparshme, investimet totale të realizuara të kompanisë në Maqedoni do të arrijnë në 150 milionë euro.

Me investimet e reja, "Kostal Makedonija" pritet të zgjerojë prodhimin me sisteme të teknologjisë së lartë, të veçanta për automjetet hibride dhe elektrike "plug-in" të Grupit "Volkswagen".

"Të gjitha automjetet nga grupi do t'i marrin ato sisteme nga fabrika në Ohër. Në të njëjtën kohë, modulet e mbulimit mekatronik të "Mercedes"-it. Kjo do të thotë se pavarësisht paqëndrueshmërisë së industrisë automobilistike, kryesisht në Evropë, ne si kompani vazhdojmë të rritemi, të investojmë, të rrisim eksportet", tha drejtori i "Kostal Makedonija", Viktor Mizo.

Ai përkujtoi se kompania ishte e nënta në vend vitin e kaluar për sa i përket eksporteve, me pritshmëritë për të arritur mbi gjysmë miliardë euro deri në fund të dekadës.

"Gjithë ajo që e bëjmë, me mbështetjen e institucioneve, vetëqeverisjes lokale, e konsiderojmë si sukses për të gjithë ne. Suksesi i kompanisë është si i qytetit ashtu edhe i shtetit, edhe i atyre 1.150 të punësuarve për momentin këtu në Ohër. Zgjerimet e ardhshme dhe punësimet e reja do të varen nga rezultatet që arrijmë këtu nga efikasiteti, produktiviteti dhe projektet e ardhshme. Kjo do të thotë se sa më të suksesshëm të jemi këtu, aq më shumë do të jemi në gjendje të tërheqim investime të reja", tha Mizo.

Kryetari i "Kostal Evropa" dhe drejtor kryesor operativ i "Grupit Kostal", Hans Jorg Herman, nga ana e tij theksoi se pavarësisht nga periudha e krizës për industrinë e automobilave në kontinent, pritjet janë që puna e suksesshme e ekipit të "Kostal"-it në Maqedoni, programi zhvillimor i kapaciteteve të kompanisë dhe programet e tij inovative do të kontribuojnë në tejkalimin me sukses të vështirësive.

"Çdo krizë është kalimtare, ne nuk shqetësohemi sepse kemi ekip të mirë, në vend të mirë. Duke ndjekur planet tona të rritjes dhe strategjinë e zhvillimit, unë besoj se ky kapacitet në Ohër do të vazhdojë historinë e tij të suksesit", tha ai.

Sipas paralajmërimeve, plani është të fillojë prodhimin duke vendosur teknologjitë më të reja SAC (Smart Actuator Charging) dhe sistemet e karikimit nga grupi "Volkswagen", që do të instalohen në modelet më të fundit të markave "Volkswagen", "Shkoda", "Seat", "Audi" dhe "Porshe". 

foto/MIA, Qeveria,

QËNDRONI TË LIDHUR