• e premte, 05 dhjetor 2025

Kostadinovski: Vendimi i Gjykatës Administrative do të prodhojë pasoja juridike, në asnjë rast sipas detyrës zyrtare nuk ka rishikim të vendimeve tona

Kostadinovski: Vendimi i Gjykatës Administrative do të prodhojë pasoja juridike, në asnjë rast sipas detyrës zyrtare nuk ka rishikim të vendimeve tona

Shkup, 20 maj 2025 (MIA) – Vendimi i Gjykatës Administrative do të prodhojë pasoja juridike dhe jo që nuk kemi çfarë të themi, por do ta lëmë të shohim edhe shkenca edhe profesioni, nëse ka nevojë Gjykata Kushtetuese eventualisht në të ardhmen të deklarohet, thotë kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski. 

I pyetur si do të reflektohet dhe çka kanë ndërmarrë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e zgjedhjes së Elizabeta Dukovska për gjykatëse kushtetuese, Kostadinovski theksoi se “jo rastësisht këtë situatë e cilësojmë si precedent juridik”.  

“Kjo nënkupton se edhe në mesin e gjykatësve kemi qëndrime të ndryshme çka do të thotë gjyqësor kushtetues. Kam qëndrim timin, por do të përmbahem sepse në këtë moment në fuqi është qëndrimi të cilin e morëm dje dhe duhet të mbetem në atë qëndrim si gjykatës”, deklaroi Kostadinovski. 

I pyetur çka do të ndodhë me Nismën për kushtetutshmërinë e Marrëveshjes së Prespës, duke pasur parasysh se për të ka votuar Elizabeta Dukovska, zgjedhja e së cilës për gjykatës kushtetuese ishte anuluar me vendim të Gjykatës Administrative, Kostadinovski tha se “edhe në kuptim të kësaj çështje mbetem në qëndrimin të cilin e merr gjykata se vendimet tona janë përfundimtare dhe ekzekutive dhe në asnjë rast, me detyrë zyrtare nuk ka rishqyrtim të vendimeve tona”.   

Gjykata Kushtetuese, theksoi Kostadinovski, dje në takim pune gjatë e ka shqyrtuar gjendjen e re të krijuar juridike, pasi, siç theksoi, janë përballur me “precedent juridik që në 60 vjet gjyqësi kushtetuese asnjë përbërje e Gjykatës Kushtetuese nuk është përballur”. 

“Ne thamë, nuk komentojmë vendimin e Gjykatës Administrative, se bëhet fjalë për precedent ligjor, se ai precedent ligjor krijon një situatë juridike dhe ajo situatë juridike krijon implikime juridike. Ne dolëm me kumtesë dhe tashmë kemi deklaruar pasojën e parë juridike të asaj situate, përkatësisht shtyrjen e seancës përgatitore për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Një pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj situate”, deklaroi Kostadinovski.

Kostadinovski, sqaroi se koncepti „res judicata“ ose punë e gjykuar për cilëndo lëndë në gjyqësorin kushtetues, nuk është identik si në gjyqësorin e rregullt dhe se Gjykata Kushtetuese ka të drejtë “të marrë vendim të ndryshëm, nëse ka baza për vendim ndryshe”. 

"Këto janë dy institucione juridike krejtësisht të ndryshme me kuptime të ndryshme. Në gjyqësorin kushtetues "res judicata" ka një kuptim të ndryshëm. Kjo do të thotë që për çdo çështje që kjo gjykatë ka vendosur, sot, një muaj më parë, tre vjet më parë, 30 vjet më parë, me iniciativën e ndonjë qytetari për të njëjtën çështje, e cila është gjykuar tashmë një herë, nëse gjykatës i ofrohen rrethana shtesë, me argumente të forta, për të bindur gjyqtarët që mund të kenë marrë ose jo pjesë në atë çështje të gjykuar, gjykata ka të drejtë të vendosë ndryshe. Do të thotë akti ynë na lejon të marrim një vendim të ndryshëm nëse ka baza për një vendim të ndryshëm, e baza për një vendim të ndryshëm ka shumë. Kështu që edhe lidhur me këtë çështje , unë qëndroj pranë qëndrimit të gjykatës se vendimet tona janë përfundimtare dhe të zbatueshme dhe në asnjë rast, sipas detyrës zyrtare, vendimet tona nuk mund të rishqyrtohen", deklaroi Kostadinovski.

Gjykata Kushtetuese, dje përmes kumtesës, informoi se nuk do të komentojë vendimin e Gjykatës Administrative për shfuqizimin e zgjedhjes së gjyqtares kushtetuese Elizabeta Dukovska, duke theksuar se veprimet e Këshillit Gjyqësor, Kuvendit dhe gjykatave administrative çuan në krijimin e një precedenti ligjor me të cilin deri më tani asnjë përbërje e Gjykatës nuk është përballur. Ky precedent, sipas Gjykatës, ka implikime të rëndësishme ligjore rreth procedurës së saj të mëtejshme.

Gjykata Kushtetuese, njëherit kujtoi se, në përputhje me nenin 112, paragrafi 2 i Kushtetutës, vendimet e saj janë përfundimtare dhe të zbatueshme, dhe nuk do t'i rishqyrtojë sipas detyrës zyrtare vendimet në të cilat ka marë pjesë gjykatësi i përshirë me aktvendimin e Gjykatës administrative. 

Për shkak të situatës të sapo krijuar, Gjykata Kushtetuese gjithashtu, vendosi të shtyjë seancën përgatitore për lëndën në lidhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, e cila ishte caktuar për 19 qershor 2025, për shkak të faktit se Dukovska është raportuese për këtë lëndë, dhe shtesë, Gjykata ka miratuar një Përfundim sipas të cilit procedurat për këtë lëndë duhet të zhvillohen në përbërje të plotë të Gjykatës. fc/ ls/

Foto: MIA 

QËNDRONI TË LIDHUR