• e shtunë, 23 nëntor 2024

Kosova kërkon nga Serbia që të konfirmojë identitetin e të vrarit që dyshohet se ka vrarë policin serb

Kosova kërkon nga Serbia që të konfirmojë identitetin e të vrarit që dyshohet se ka vrarë policin serb

Prishtinë, 18 korrik 2024 (MIA) - Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diaspora e Kosovës kumtoi se Zyra për lidhje e Kosovës në Serbi, pas marrjes së informacionit për vrasjen e një shtetasi të Kosovës në Serbi, ka kërkuar nga autoritetet serbe konfirmimin e identitetit të personit të vrarë sot në Loznicë, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi se Faton Hajrizi, i dyshuari për vrasjen e policit serb dhe plagosjen e kolegut të tij në Loznicë të Serbisë, është vrarë sot pas rreth 40 orësh kërkime, pasi. sipas tij, ai ka shtënë në drejtim të policëve serbë dhe nuk ka pranuar të dorëzohet.

Sipas informacioneve të para të raportuara nga mediat serbe, Hajrizi ka tentuar të kalojë Drinën në afërsi të Loznicës dhe të arratiset në Bosnje e Hercegovinë, por ka dështuar, kështu që është fshehur në pjesën e një kompleksi të braktisur fabrike, ku emigrantët që vijnë atje nga Presheva vitet e fundit janë fshehur duke pritur një “lidhje” për të ikur përtej Drinës.

Pasi Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë publikoi më herët një fotografi të të dyshuarit, një nga vendasit nga zona e Loznicës raportoi se kishte parë një person me atë përshkrim. Pjesëtarët e MPB-së së Serbisë kanë mbërritur në numër të madh, kanë bllokuar të gjithë zonën dhe më pas kanë likuiduar Hajrizin.

Të mërkurën në mbrëmjë në Loznicë u vra polici 34-vjeçar Nikola Kërsmanoviq, ndërsa u plagos kolegu i tij 50-vjeçar Vjekoslav Iliq. Sulmi ndodhi gjatë një kontrolli rutinë të taksisë në të cilën ndodhej Fatoni.

Rreth një orë pas mesnatës, Kërsmanoviq dhe Iliq në pikën kontrolluese ndaluan një taksi, që u dukej e dyshimtë. Në automjet ndodheshin dy persona, shoferi dhe pasagjeri.

Policët donin të identifikonin burrat, kështu që polici i kërkoi Fattonit të tregonte çantën e tij. Ai refuzoi dhe më pas qëlloi në drejtim të policëve.

Policia në vendin e ngjarjes ka gjetur pasaportën e të dyshuarit të lëshuar nga autoritetet kosovare në emër të Artan Hajrizit dhe një letërnjoftim gjerman me të njëjtin emër.

Mirëpo, shumë shpejt u vërtetua se policët në fakt ishin qëlluar nga vëllai i Artanit, Fatoni, i cili ishte arratisur së fundmi nga burgu në Kosovë, ndërsa gjatë arratisjes së tij ka përdorur pasaportën e vëllait të lëshuar nga autoritetet kosovare.

Hajrizi është në arrati që nga 6 korriku, kur nga fundjava e lirë nuk u kthye në burgun e Smrekovnicës. Ishte arratisja e tij e nëntë nga burgu, duke e bërë atë rekorder në Kosovë. Në rrjetet sociale ai ka shpjeguar se motivi i arratisjes ka qenë abuzimi që ka pësuar në burg.

"Unë jam larguar nga Kosova sepse jam persekutuar. Jam keqtrajtuar mendërisht, nuk durova dot më. Unë nuk do të kthehem në burg në këtë vend. Aty vuajnë të burgosurit, kaucioni nuk jepet, nuk trajtohen të gjithë njësoj", deklaroi Hajrizi.

Faton Hajrizi  është i njohur për opinionin që nga viti 2000, kur vrau një ushtar rus, pjesëtar i KFOR-it, në moshën 15 vjeçare. Ai u dënua me 27 vjet burg për atë vrasje. ls/

 

QËNDRONI TË LIDHUR