• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Kosova i ka informuar ambasadat e KUINT-it për bllokimin e qytetarëve të Kosovës në vendkalimet kufitare serbe

Kosova i ka informuar ambasadat e KUINT-it për bllokimin e qytetarëve të Kosovës në vendkalimet kufitare serbe

Prishtinë, 17 prill 2024 (MIA) - Ministria kosovare e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kumtoi se i ka njoftuar ambasadat e vendeve të KUINT-it (SHBA-në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Itlainë dhe Francën) dhe institucionet e Bashkimit Evropian dhe të tjerë, për bllokimin e qindra qytetarëve kosovarë në vendkalimet kufitare të Serbisë me vende të tjera, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Siç theksohet në kumtesën e MPJ-së, qytetarët janë ndaluar përveç në vendkalimin me Kroacinë, gjithashtu edhe në vendkalimet kufitare serbo-hungareze, e madje edhe tek Dheu i Bardhë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.

"Qytetarët e Kosovës të cilët udhëtonin në drejtim të Kosovës janë ndalur edhe në kufirin me Hungarinë, në vendkalimet kufitre në Shid dhe Suboticë dhe në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë dhe nuk u lejohet të lëvizin as para as prapa. Përveç kësaj, janë marrë të gjitha dokumentet personale të udhëtarëve si dhe të autobusëve. Gjithashtu, disa udhëtarë janë arrestuar dhe ende po merren në pyetje. Pas veprimeve arbitrare të Serbisë, institucionet tona, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i njoftuan shtetet e KUINT-it, institucionet e BE-së dhe institucionet e tjera ndërkombëtare për këtë gjendje dhe presim që kjo të përfundojë së shpejti", thuhet në kumtesë.

MPJ e përsëriti thirrjen drejtuar qytetarëve të Kosovës të mos kalojnë nëpër Serbi, sepse aksionin e Serbisë e vlerësoi si hakmarrës pas disfatës së përpjekjeve kundër votimit në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës.

"Ky aksion hakmarrës, të cilin para disa ditëve e paralajmëroi vetë presidenti i Serbisë, (Aleksandar) Vuçiq, i cili vjen pas dështimit të propagandës kundër anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, duhet urgjentisht ta marrë prëgjigjen e merituar nga komuniteti ndërkombëtar", ceket në kumtesë.

Përmes kumtesës paraprake sot paradite, MPJD bllokimin e kosovarëve në zonë neutrale mes Serbisë dhe Kroacisë e vlerësoi si arbitrare.

"Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Punëve të Brendshme kumtojnë se pas ngjarjes së krijuar në vendkalimet kufitare në Serbi dhe ndalimit arbitrar të shtetasve të Kosovës në vendkalimet kufitare, të gjithë bashkëkombasit dhe qytetarët të cilët janë në lëvizje, të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi. MPJ dhe MPB po i ndërmarrin aktivitetet e nevojshme dhe do të informojnë për hollësi të reja. Luten të gjithë udhëtarët ta ndjekin me kujdes situatën e tensionaur të sigurisë dhe të mos udhëtojnë nëpër Serbi", thuhet në kumtesë.

Qindra kosovarëve, nga mesnata u janë marrë dokumentet dhe kanë mbetur të bllokuar në vendkalimin kufitar "Batrovci", Serbi - Kroaci.

Fatmir Haxholli nga Zyra ndërlidhëse e Kosovës në Serbi deklaroi se kjo bëhet në shenjë hakmarrjeje për votimin në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili e hapi rrugën për anëtarësim të Kosovës në atë organizatë. ab/

 

QËNDRONI TË LIDHUR