• e enjte, 09 janar 2025

Kos: Pres që Maqedonia e Veriut ta ndryshojë Kushtetutën dhe pas ta përshpejtojmë procesin

Kos: Pres që Maqedonia e Veriut ta ndryshojë Kushtetutën dhe pas ta përshpejtojmë procesin

Shkup, 27 nëntor 20224 (MIA) - Eurokomisarja e re për zgjerim Marta Kos, në një deklaratë për mediat menjëherë pas miratimit të përbërjes së re të Komisionit Evropian, pret që Maqedonia e Veriut ta ndryshojë Kushtetutën, sepse, siç tha, ajo është diçka që Bashkimi Evropian është duke llogaritur, lajmëroi raportuesi i MIA-s nga Strasburgu.

"Është diçka në të cilën mbështetemi. Asgjë më pak, asgjë më shumë. Besoj se është e mundur dhe pas kësaj mund ta përshpejtojmë procesin realisht", theksoi Kos.

E pyetur nëse pas kësaj mund të jepen garanci se nuk do të ketë bllokada të tjera, Kos tha se nuk është ajo që mund t'i përgjigjet asaj pyetjeje.

Për mënyrën se si mund të zgjidhet problemi me Bullgarinë, Kos tha se duhet të diskutohet sa më shumë.

null

"Të bisedojmë, sa më shumë, me Maqedoninë e Veriut dhe me Bullgarinë. Ne duhet të tregojmë se është në dorën tonë se si ta zgjidhim këtë problem dypalësh. Pa këtë dhe duke ndjekur vlerat evropiane, ne nuk do të jemi në gjendje të bëjmë atë që është më e mira për BE-në dhe sigurisht atë që është më e mira për Maqedoninë e Veriut", tha Kos.

Ajo vlerësoi se zgjerimi sot është më ndryshe se sa para pesë viteve.

"Situata gjeopolitike ka ndryshuar, dinamika e zgjerimit sot është krejtësisht e ndryshme. Ka shanse reale në vitet e ardhshme për të sjellë disa vende në fund të procesit të hyrjes së tyre në BE. Nuk e di kush janë ato vende, por do të jenë ato që i plotësojnë të gjitha kushtet", theksoi Kos.

E pyetur nëse viti 2030 është real për inkuadrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, ajo tha se emërimi i saj do të jetë pozitiv për rajonin.

"Mendoj se emërimi im është pozitiv për Ballkanin Perëndimor, do të kem bashkëpunim të ngushtë dhe të afërt sa më shumë me vendet që janë të gatshme të inkuadrohen në BE, t'i vizitoj të gjitha, të punoj realisht për inkuadrimin e tyre në BE", theksoi eurokomisarja e re për zgjerim dhe politikë të fqinjësisë. sa/

Foto: MIA/ Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR