• e premte, 05 dhjetor 2025

Kos: Anëtarësimi në BE është mënyra më e mirë që të mbrohet identiteti, kultura dhe gjuha maqedonase

Kos: Anëtarësimi në BE është mënyra më e mirë që të mbrohet identiteti, kultura dhe gjuha maqedonase

Shkup, 1 korrik 2025 (MIA) - Për Komisionin Evropian, situata është e qartë, nëse Maqedonia e Veriut i përmbush angazhimet e saj dhe ndryshon Kushtetutën, gjë që sigurisht nuk është e lehtë, atëherë menjëherë do ta fillojmë konferencën ndërqeveritare pa asnjë kusht politik shtesë, tha komisarja evropiane Marta Kos, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në konferencën e përbashkët për shtyp sot me kryeministrin Hristijan Mickoski në Shkup, në lidhje me kërkesat e Sofjes, përveç ndryshimeve kushtetuese për të miratuar protokollet.

E pyetur se çfarë garancish mund të japë BE-ja për Maqedoninë se Bullgaria nuk do ta bilateralizojë më tej procesin, Kosi theksoi se “qëllimi i tyre politik është të hapen negociatat për Maqedoninë e Veriut, sipas klasterit 1 sa më shpejt të jetë e mundur, sapo Maqedonia e Veriut të përmbushë kriteret përkatëse të dakorduara me Këshillin, pra të impelementojë përcaktimet mbi ndryshime kushtetuese”.

"Vlerësoj se është shumë e rëndësishme, ndërsa takimi i sotëm tregon vetëm se Maqedonia e Veriut duhet të shtyhet në rrugën e zgjerimit, veçmas duke pasur parasysh se disa vende të tjera janë konkurrentë të fortë për përfundimin e negociatave paraqasëse. Të gjithë e dimë se kjo nuk është e lehtë, por mundësia për zgjerim tani është e hapur dhe të gjithë duhet ta shfrytëzojmë këtë shans. Dhe të gjithë duhet të kontribuojmë, jo vetëm këto dy vende, por e gjithë BE-ja për të gjetur mënyrë që do t'i lejohet Maqedonisë së Veriut të fillojë këtë sa më shpejt të jetë e mundur. Garancia më e mirë për këtë proces është arritja e rezultateve", ka thënë Kosi.

Prandaj, sipas Kosit, nga aspekti i Komisionit, është e rëndësishme të ketë dialog konstruktiv midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe të ndërtohet frymë e besimit dhe mirëkuptimit të përbashkët.

E pyetur të komentojë amendamentet bullgare për Raportin për Maqedoninë ku kërkohet gjuhë maqedonase "moderne (bashkëkohore)" dhe komb maqedonas, Kosi tha se "anëtarësimi në BE është mënyra më e mirë se si të mbrohet identiteti, kultura dhe gjuha".

"Anëtarësimi në BE sipas meje është mënyra më e mirë për të mbrojtur identitetin, kulturën dhe gjuhën maqedonase, sepse BE është ndërtuar mbi parimin e diversitetit dhe BE kujdeset për të gjitha shtetet anëtare individualisht, në kuptimin e asaj që identiteti ynë të ruhet mirë", ka thënë Kos.

Sllovenia, theksoi Kos, është gjithashtu një vend i vogël me dy milionë banorë, por pasi u bë anëtare e BE-së në vitin 2004, gjuha sllovene është një nga 24 gjuhët zyrtare të BE-së.

Kosi poashtu tha se edhe në Moldavi punon në parandalimin e siç tha, “narrativës së njëjtë se do të humbet gjitha dhe identiteti”.

"Dhe që kur Moldavia u bë vend kandidat në portofolin tim, ndihmojmë në parandalimin e narrativës ruse që thotë se do të humbin identitetin e tyre. Identiteti nuk mundet sipas mendimit tim të bëhet kurrë objekt i vendimmarrjes politike. Identiteti është diçka që e mbajmë në shpirt dhe në zemrat tona. Identiteti është mënyra se si ndihemi për atdheun tonë, identiteti është ajo se si kujdesemi për traditën tonë", ka thënë Kos.

QËNDRONI TË LIDHUR