• e premte, 05 dhjetor 2025

Korridori 10, hekurudha e shpejtë dhe bashkëpunimi ekonomik në fokus të takimit Hazidakis-Nikolloski

Korridori 10, hekurudha e shpejtë dhe bashkëpunimi ekonomik në fokus të takimit Hazidakis-Nikolloski

Athinë, 24 shtator 2025 (MIA) - Konkluzioni i përbashkët ishte se vendndodhja gjeografike e të dy vendeve krijon mundësi të konsiderueshme për formimin e një qendre të fortë ndërlidhëse tranziti dhe energjetike në rajonin më të gjerë, kumtuan nga kabineti i zëvendëskryeministrit të Greqisë, Kostis Hazidakis për takimin me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Aleksandar Nikolloski, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Dy zëvendëskryeministrat u përqendruan në rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve dhe promovimit të projekteve strategjike të infrastrukturës në rajon, veçanërisht në sektorin energjetik dhe transportit.

Gjithashtu, siç informuan nga kabineti i Hazidakis, ata u fokusuan në linjën hekurudhore të shpejtë përgjatë Korridorit 10, e cila do të lidhë portet greke me Evropën qendrore, "një projekt i konsideruar kyç për stimulimin e tregtisë ndërkufitare, uljen e kohës së transportit dhe përmirësimin e konkurrueshmërisë së ekonomive në rajon".

"Shtesë, u shqyrtuan perspektivat për forcimin e këmbimeve tregtare dhe investimeve me qëllim zgjerimin e bashkëpunimit midis komuniteteve të biznesit të të dy vendeve dhe shfrytëzimin e fushave të reja me interes të përbashkët. Të dyja palët shprehën vendosmërinë e tyre për të vazhduar dialogun dhe për të thelluar bashkëpunimin në fushat me interes të përbashkët dhe për të promovuar projekte me rëndësi strategjike që kontribuojnë në stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit", kumtuan nga kabineti i zëvendëskryeministrit të Greqisë.

Nga Ministria e Transportit e Maqedonisë theksuan se ky është takimi i parë i dy zëvendëskryeministrave, me të cilin u theksua rëndësia dhe promovimi i bashkëpunimit ekonomik dhe projekteve rajonale të infrastrukturës, por edhe se në takim u konfirmuan përpjekjet e të dy vendeve për bashkëpunim më të mirë rajonal në fushën e infrastrukturës, transportit dhe shërbimeve.

U prezantuan prioritetet strategjike të Qeverisë në infrastrukturë dhe u theksua rëndësia e një lidhjeje rajonale më efikase si një parakusht për zhvillimin e përshpejtuar ekonomik të rajonit.

"U theksua vendosmëria e fortë e dy qeverive për të ndërtuar hekurudhëne shpejtë në Korridorin 10, një projekt rajonal që do të mundësojë zhvillimin e tregtisë, rritjen e këmbimit midis dy vendeve dhe një lidhje të shpejtë të porteve në Greqi me tregjet në Evropën Qendrore. Në takim u prezantuan kushtet për investime në vend, si dhe mundësia e një bashkëpunimi më të madh ekonomik dhe tregtar midis komuniteteve të biznesit të dy vendeve. Në takim konkluduan se bashkëpunimi dhe zbatimi i projekteve me rëndësi rajonale do të vazhdojë në periudhën e ardhshme me qëllim rritjen e efikasitetit të transportit dhe bashkëpunimit ndërkufitar", kumtuan nga ministria. 

Zëvendëskryeministri Nikolloski, gjatë vizitës së tij të punës në Athinë zhvilloi takime të ndara edhe me ministrin e Infrastrukturës dhe Transportit të Greqisë, Hristos Dimas, si dhe me ministrin alternativ të Infrastrukturës përgjegjës për këtë çështje, Konstantinos Kiranakis, me ç'rast fokusi ishte në ndërtimin e një hekurudhe të shpejtë në Korridorin 10, korridore të gjelbra në vendkalimet kufitare, bashkëpunim rajonal dhe transport më efikas të mallrave dhe udhëtarëve.

Në takimet. siç informuan nga Ministria, u konfirmua se, në kuadër të bashkëpunimit të ndërsjellë "promovimi i transportit rrugor dhe hekurudhor janë fusha ku të dy vendet kanë interes të përbashkët në aspektin e zhvillimit rajonal".

 

Zëvendëskryeministri Nikolloski theksoi projektet prioritare të Qeverisë në pjesën e infrastrukturës, me një fokus të veçantë në hekurudhën me shpejtësi të lartë në Korridorin 10, një projekt që duhet të ofrojë një kontribut të fortë në zhvillimin ekonomik të rajonit.

"Në takimet u diskutua edhe modernizimi i vendkalimeve kufitare duke krijuar korsi të gjelbra për të mundësuar transport më të shpejtë dhe më efikas. Bashkëbiseduesit shprehën kënaqësinë me vendimin e të dy vendeve për të ndërtuar vendkalimin kufitar "Markova Noga" si një parakusht për rritjen e bashkëpunimit ndërkufitar dhe komunikim më të mirë midis qytetarëve", kumtuan nga Ministria e Transportit. ls/ 

Foto: Ministria e Transportit

 

QËNDRONI TË LIDHUR