• e diel, 22 dhjetor 2024

Koreja e Veriut dërgoi tullumbace me mbeturina dhe plehra në Korenë e Jugut

Koreja e Veriut dërgoi tullumbace me mbeturina dhe plehra në Korenë e Jugut

Seul, 29 maj 2024 (MIA) - Koreja e Veriut sot dërgoi tullumbace me mbeturina dhe plehra në drejtim të Koresë së Jugut, gjë që e detyroi ushtrinë e vendit t'i moblizojë ekipet e veta për reagim kimik dhe shpërthyes për t'i gjetur dhe hulumtuar mbetjet nga tullumbacet e rëna në disa pjesë të vendit.

Shefi i ushtrisë jugkoreane deklaroi se Koreja e Veriut dje në mbrëmje ka dërguar numër të madh tullumbacesh me mbeturina drejt jugut, si përgjigje ndaj dërgimit të fletushkave propagandistike kundër Koresë së Veriut.

Ushtria kumtoi se deri pasdite, në pjesë të ndryshme të vendit ishin gjetur rreth 260 tullumbace nga Koreja e Veriut, duke shtuar se në to ka pasur lloje të ndryshme të mbeturinave dhe plehrave, por se deri më tani nuk kanë gjetur jashtëqitje njerëzore. Civilët këshillohen të mos i prekin lëndët nga Koreja e Veriut, por menjëherë pas zbulimit, t'i paraqesin ato tek ushtria apo policia.

Pamjet e publikuara nga ushtria jugkoreane tregojnë mbeturina të shpërndata nëpër rrugë në pjesë të ndryshme të vendit. Në kryeqytetin Seul, nëpunësit e ushtrisë gjetën diçka që i ngjason tajmerit, që me siguri është vendosur në atë mënyrë që qeset me mbeturina të shpërthejnë në një moment të caktuar.

Zëvendësministri verikorean i Mbrojtjes, Kim Kang Il, deklaroi se Veriu planifikon të shpërndajë "sasi të mëdha të mbeturinave dhe papastërtisë" në rajonet kufitare dhe pjesë të tjera të Koresë së Jugut, si përgjigje ndaj aksioneve të aktivistëve jugkoreanë dhe dërgimit të fletushkave kundër Koresë së Veriut.

Kim Jo Xhong, motra e fuqishme e liderit verikorean, foli në mediumet shtetërore dhe e përqeshi deklaratën e ushtrisë jugkoreane e cila kërkon nga Veriu të ndalojë me "aktivitetet e veta johumane dhe vulgare". Ajo deklaroi se Veriu vetëm poe përdorë lirinë e vet të shprehjes, në mënyrë të njejtë siç qeveria në Seul i arsyetoi fletushkat kundër Koresë së Veriut përtej kufirit nga aktivistët jugkoreanë. ab/

foto: ЕPА

QËNDRONI TË LIDHUR