• e hënë, 23 dhjetor 2024

Konkurs për poezinë më të mirë dhe orë speciale në shkolla me rastin e 21 Marsit - Ditës Botërore të Poezisë

Konkurs për poezinë më të mirë dhe orë speciale në shkolla me rastin e  21 Marsit - Ditës Botërore të Poezisë

Shkup, 19 shkurt 2024 (MIA) -  Me rastin e 21 Marsit - Ditës Botërore të Poezisë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe festivali i poezisë "Mbrëmjet Strugane të Poezisë" shpallin konkurs për përzgjedhjen e poezisë më të mirë, të dedikuar për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme.

MASH kumtoi se qëllimi i konkursit është nxitja e krijimtarisë dhe imagjinatës së nxënësve dhe popullarizimi i poezisë si formë letrare dhe shprehja më e lartë gjuhësore.

Nxënësit deri në klasën e tretë mund të aplikojnë me vepër personale me temë - "Poezia ime – fotografia ime për bote shumëngjyrëshe dhe të gëzuar". Për nxënësit nga klasa e katërt deri në të gjashtën tema është "Fjalë pas fjale – poezi", ndërsa nxënësit nga klasa e shtatë deri në të nëntën konkurrojnë me temën "Të shkruajmë vargje – të krijojmë një botë më të bukur".

Nxënësit e shkollave fillore mund të shohin detaje më të hollësishme në linkun e mëposhtëm: https://mon.gov.mk/content/?id=8516 

"Shtëpi, e gjithë bota është vëllazërim për mua..." është tema e destinuar për nxënësit e shkollave të mesme dhe konkursi është publikuar në këtë link: https://mon.gov.mk/content/?id=8517 

"Tema është një varg nga poezia "Tatunço" nga Koço Racini, dhe i referohet sakrificës dhe luftës për botë më të drejtë kundër pritjeve të zakonshme dhe synimeve materialiste. Por ,më gjerësisht, vargu i referohet një ideje më të përgjithshme të kozmopolitizmit dhe vëllazërisë mes njerëzve", thekson MASH.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe festivali i poezisë "Mbrëmjet Strugane të Poezisë" njoftojnë se në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme gjatë mësimit të gjuhës amtare gjatë muajit mars,do të organizohet një orë speciale kushtuar 21 Marsit - Ditës Botërore të Poezisë, gjatë së cilës nxënësit do të njihen me rëndësinë e ditës së vendosur nga UNESKO në vitin 1999 dhe rëndësinë e poezisë si një nga artet më fisnike dhe madhështore të fjalës së shkruar.

"Para të rinjve do të prezantohen shembuj të poetëve më të njohur botërorë dhe vendas, si dhe rëndësia e  "Mbrëmjet Strugane të Poezisë " si një nga festivalet më të rëndësishme të poezisë botërore dhe vargje nga fituesit e sivjetmë të "Kurora e Artë" dhe "Urat e Strugës" do të lexohen si mirënjohjet më të larta të ndara në këtë festival", kumtoi Ministria e Arsimit dhe Shkencës. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR