• e hënë, 07 tetor 2024

Konjufca: Kosova vazhdimisht diskriminohet nga bashkësia ndërkombëtare, Serbia trajtohet ndryshe

Konjufca: Kosova vazhdimisht diskriminohet nga bashkësia ndërkombëtare, Serbia trajtohet ndryshe

Prishtinë, 11 shtator 2024 (MIA) – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca deklaroi se Kosova gjithnjë është diskriminuar dhe nuk është trajtuar si palë e barabartë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare në dialogun me Serbinë, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

Në paraqitjen e tij para gazetarëve pas takimit të tij të sotëm me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, Konjufca deklaroi se diskriminimi ekziston nga viti 2011, kur filloi procesi i negociatave mes Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

“Gjithçka që ka pasur përmbajtje procesi negociator nga 2011 kur ka nisur deri te Marrëveshja e Ohrit që ishte marrëveshja e fundit në këtë proces, reagimet, qëndrimet dhe pozicionimet e BE-së dhe të institucioneve ndërkombëtare karshi kësaj që nënshkruam në relacion me Kosovën dhe Serbinë nuk janë të barabarta. Janë standarde të dyfishta e këtë do ta them gjithmonë dhe fuqishëm. Kosova është diskriminuar, po përjeton padrejtësi në këtë proces”, deklaroi Konjufca.

Kryetari i Kuvendit shtoi se ndaj Kosovës po bëhet presion që t’i zbatojë marrëveshjet, por “po përjashtohet kur po tenton ta bëjë këtë”.

“Kosovës i bëhet presion dhe përjashtimi mund të vijë për shkak të moszbatimit të marrëveshjes. Çka po bën Kosova është se do të realizojë një përmbajtje që është marrëveshje. Është hapja e urës. Negociatorët e mëhershëm e kanë bërë urën pjesë të negociatave, e palët janë pajtuar që ura të hapet. Kur Kosova do ta zbatojë marrëveshjen, nuk duhet të hapet ura thonë faktorët. E fakti që s’po mund ta zbatojmë Asociacionin, për këtë Kosova meriton të përjashtohet. Këto janë standarde të dyfishta. Kosova nuk trajtohet barabartë. Serbia ndryshe e Kosova ndryshe”, tha Konjufca. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR