Konfirmohen dy raste të lisë së majmunëve, mblidhet Komisioni për sëmundje infektive
- Pas analizave laboratorike në Institutin e Shëndetit Publik mbrëmë, u konfirmuan dy raste të lisë së majmunëve. Bëhet fjalë për dy pacientë meshkuj të lindur në vitet 1981 dhe 1985, të dy nga Shkupi. Komisioni për Sëmundjet Infektive do të mblidhet sot pasdite dhe pritet të nxjerrë rekomandime dhe përfundime të sakta dhe profesionale në lidhje me situatën me linë e majmunëve, kumtuan përfaqësues të institucioneve kompetente.
- Post By Lindita Sulejmani
- 17:01, 23 maj, 2025
Shkup, 23 maj 2025 (MIA) - Pas analizave laboratorike në Institutin e Shëndetit Publik mbrëmë, u konfirmuan dy raste të lisë së majmunëve. Bëhet fjalë për dy pacientë meshkuj të lindur në vitet 1981 dhe 1985, të dy nga Shkupi. Komisioni për Sëmundjet Infektive do të mblidhet sot pasdite dhe pritet të nxjerrë rekomandime dhe përfundime të sakta dhe profesionale në lidhje me situatën me linë e majmunëve, kumtuan përfaqësues të institucioneve kompetente.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Jovica Andonovski, në konferencën e sotme për shtyp informoi se lija e majmunëve është një sëmundje virale, simptomat e zakonshme të së cilës janë skuqje e lëkurës, ethe, dhimbje koke, dhimbje muskujsh dhe shpine, si dhe dobësi e përgjithshme dhe nyje limfatike të fryra. Ai theksoi se sëmundja transmetohet përmes kontaktit të ngushtë me një person të sëmurë, materialeve të kontaminuara ose kafshëve të infektuara, ndërsa virusi trajtohet në mënyrë simptomatike.
"Menjëherë u iniciua koordinim me institucionet dhe një anketë epidemiologjike e dy rasteve të konfirmuara. Menjëherë u informua Drejtori i Klinikës për sëmundje infektive dhe drejtori i Inspektoratit Sanitar dhe Shëndetësor. Sot në mëngjes zhvilluam disa takime koordinuese me përfaqësues të Institutit të Shëndetit Publik dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë mbi aktivitetet aktuale dhe aktivitetet e mëtejshme që do të pasojnë”, tha Andonovski.
Ai u bën apel qytetarëve që të mos bëjnë panik sepse, siç tha ai, sistemi funksionon dhe po ndërmerren të gjitha aktivitetet e nevojshme.
Drejtoresha e ISHP-së, Marija Andonovska, informoi se bëhet fjalë për dy pacientë meshkuj të lindur në vitet 1981 dhe 1985, të dy nga Shkupi. Sipas informacioneve të dhëna nga dy pacientët, ata nuk kishin udhëtuar askund jashtë vendit. Ajo theksoi se një pacient është i hospitalizuar në Klinikën për sëmundje infektive në Shkup, e sipas informacionit të saj, tjetri ende nuk është regjistruar në asnjërën nga klinikat dhe nuk është i hospitalizuar. Ai thekson se rastet nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Ajo kumtoi se kanë bërë përpjekje, me ndihmën e OBSH-së, gjatë pasdites të dërgojnë materiale nga pacientët me linë e majmunëve edhe në një laborator evropian në Holandë për të konfirmuar nëntipin e lisë së majmunëve.
Andonovska informoi se do t’i propozojnë protokolle Komisionit për Sëmundje Infektive për rrugën e mundshme të lëvizjes së pacientëve që mund të dyshohen për linë e majmunëve. Ajo pret që ky protokoll të miratohet në mbledhjen e sotme të Komisionit për Sëmundje Infektive.
Epidemiologu Dragan Koçinski informoi se sa i përket simptomatologjisë, pacientët kanë një pamje klinike më të lehtë.
"Njëri është hospitalizuar tashmë për izolim. Sa i përket kontakteve, pacientët janë bashkëpunues. Te njëri rast, kemi dy familje të theksuara si kontakte, kurse hetimi për rastin tjetër është ende duke vazhduar. Është bërë kontakti me familjet. Aktualisht nuk ka nevojë të merren mostra për testim, pasi ata nuk kanë asnjë simptomë të sëmundjes. Gjendja e tyre shëndetësore po monitorohet dhe nëse shfaqen simptomat e para tek këta persona, do të merren materiale të përshtatshme për testim", tha Koçinski.
Ai kumtoi se vaksina kundër fruthit nuk mbron nga lija e majmunëve sepse, siç tha ai, ekziston një vaksinë e veçantë që është në nivel global.
Edhe drejtoresha bëri thirrje gjithashtu deri te qytetarët që të mos bëjnë panik dhe theksoi se kjo nuk është një sëmundje e re dhe se tashmë ekzistojnë protokolle për të.
Drejtoresha theksoi se Instituti në dhjetor është furnizuar një sasi të mjaftueshme reagentësh.
Andonovska theksoi se ISHP-ja ka përgatitur gjithashtu informacion të shkurtër mbi atë se çfarë është lija e majmunëve, si transmetohet, simptomat, diagnozën, terapinë, dhe ky informacion do të publikohet në ueb-faqen e tyre. Thekson se po përgatiten si Institut me Departamentin e Epidemiologjisë për të hartuar një protokoll për veprimet e punonjësve shëndetësor, i cili gjatë ditës pritet t'u shpërndahet të gjithë punonjësve shëndetësor në mënyrë që ata të dinë si të veprojnë.
ISHP-ja ka përgatitur edhe dy linja telefonike - njëra do të jetë e destinuar për informacione për qytetarët, ndërsa linja tjetër telefonike do të jetë e destinuar për punonjësit shëndetësor. Gjithashtu, siç tha Andonovska, në këto linja do të jenë ekspert nga Departamenti i Epidemiologjisë në ISHP. ls/
Foto: MIA