• e diel, 22 dhjetor 2024

Konferenca ndërkombëtare për luftë kundër korrupsionit: Korrupsioni shkatërron shoqërinë, çrrënjosja e tij është e domosdoshme

Konferenca ndërkombëtare për luftë kundër korrupsionit: Korrupsioni shkatërron shoqërinë, çrrënjosja e tij është e domosdoshme
Shkup, 9 dhjetor 2021 (MIA) - Korrupsioni është thelbësisht i padrejtë, sepse me vendosjen e standardeve të dyfishta e shfuqizon barazinë e të gjithëve para ligjit. Ai e shkatërron shoqërinë, ekonominë dhe shtetin, e çmimin për këtë e paguajnë të gjithë qytetarët, veçanërisht kategoritë më të rrezikuara. Maqedonia e Veriut po bën progres në luftën kundër korrupsionit, por duhet të punohet në mënyrë plotësuese dhe të gjitha angazhimet verbale të realizohen në praktikë. Për këtë është e nevojshme të angazhohet e gjithë shoqëria, secili individ në institucionet dhe të gjithë faktorët politikë. Këto janë disa nga porositë e dërguara sot nga konferenca e mbajtur me rastin e Ditës ndërkombëtare kundër korrupsionit në Shkup. "Sipas përkufizimit të pranuar përgjithësisht, korrupsioni është shpërdorim i pushtetit apo funksionit publik të besuar për përfitime personale në kurriz të interesit publik dhe si i tillë është e keqja më e madhe për çdo sistem politik demokratik, dhe për shoqërinë në tërësi. Korrupsioni në thelb është i padrejtë, sepse me vendosjen e standardeve të dyfishta, e shfuqizon barazinë e të gjithëve para ligjit", tha në fjalimin e sotëm në konferencë presidenti Stevo Pendarovski. Ai, theksoi Pendarovski, shkatërron ekonominë, në planin politik zvogëlon besimin në institucionet, varros legjitimitetin e përfaqësuesve të zgjedhur dhe, gradualisht, por me siguri, lëkundë besimin në drejtësinë dhe efikasitetin e demokracisë si sistem. "Disa vite më parë mora pjesë në Forumin për varfërinë e fëmijëve dhe nga hulumtimet që u prezantuan atje me siguri rezulton fakti se çmimin më të lartë nuk e paguan as i korruptuari, as ai që korrupton. Çmimin më të lartë e paguajnë anëtarët më të rrezikuar të shoqërisë - fëmijët e varfër, familjet e rrezikuar social, nënat e vetme. Viktima të korrupsionit janë edhe të rinjtë të cilët nuk mund të punësohen, punëtorët e kualifikuar që nuk marrin paga adekuate për punën e tyre, pensionistët që nuk kanë para të mjaftueshme për barna dhe kujdes cilësor mjekësor", tha Pendarovski. Sipas tij, korrupsioni dobëson shtetin, varfëron qytetarët, komprometon institucionet demokratike. Çmimin, theksoi ai, e paguajnë të gjithë, sidomos më të rrezikuarit mes nesh. Korrupsioni, tha Pendarovski, nxitë edhe fakti se ende ekziston kultura e mosndëshkimit, ndërsa mungon edhe elementi i turpit publik. "Për të dalë nga kjo spirale në rënie, është e domosdoshme të investojmë në kulturën e përgjegjësisë, transparencës dhe integritetit. Është i domosdoshëm një sistem që do të zvogëlojë mundësitë për korrupsion dhe do ta bëjë korrupsionin të papranueshëm në aspektin shoqëror dhe personal. E këtë do ta arrijmë nëse çmimin e korrupsionit e paguajnë vetëm ata që e meritojnë", tha presidenti Pendarovski. Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi theksoi se menaxhimi jo i duhur dhe korruptiv i resurseve publike është i dëmshëm për të gjithë në shtet, për zhvillimin e tij në të mirë të qytetarëve. Është veçanërisht e dëmshme, tha ai, në një kohë kur ato burime janë më të nevojshme për t'u përgjigjur dhe rimëkëmbur nga kriza pandemike nga KOVID-19. Sipas tij, Strategjia kombëtare dhe Plani i veprimit që ka rezultuar prej saj, do të jetë udhërrëfyes i shkëlqyer për të gjitha institucionet. Prandaj, theksoi ai, Kuvendi do të përpiqet që në afat sa më shkurtër të mundshëm të miratojë të gjitha ligjet e nevojshme që rezultojnë nga Plani për luftë kundër korrupsionit me qëllim të realizimit të masave dhe politikave të parashikuara. “Kuvendi do të vazhdojë punën e tij transparente dhe konstruktive, duke kultivuar kulturën e dialogut partiak, meqë vetëm në këtë mënyrë do të mund të udhëheqim së bashku luftën betejën kundër korrupsionit dhe të kemi institucione efektive të përgjegjshme dhe transparente, të drejta dhe me integritet”, tha Xhaferi. Ambasadorja e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, Kejt Meri Bërnz, theksoi në fjalimin e saj se korrupsioni e mbështet paqëndrueshmërinë dhe i demoralizon qytetarët me atë që minon besimin në proceset demokratike. "Na duhen përpjekje për të çrrënjosur korrupsionin, por fjalët duhet t'i shndërrojmë në vepra dhe nga këto përpjekje verbale të arrijmë rezultate të matshme. Për këtë duhet të ketë institucione llogaridhënëse që do t'u përgjigjen nevojave të qytetarëve, por edhe angazhime të gjithë shoqërisë", tha Bërnz. Maqedonia e Veriut, theksoi ajo, po bën përparim në luftën kundër korrupsionit dhe në rritjen e transparencës. Shtoi se nevojitet dialog më i thellë kulturor dhe jotolerancë ndaj korrupsionit. Zëvendës-shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Xhulian Vasalo, gjatë fjalimit në konferencë, theksoi se korrupsioni është problem kyç me të cilin përballen thuajse të gjitha vendet në botë. Ai, siç shtoi Vasalo, rrezikon sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik, mirëqenien e të gjithëve, shkakton humbje për të gjithë qytetarët dhe për bashkësinë në përgjithësi. Prandaj, tha ai, është e nevojshme që të gjithë në shoqëri të punojnë dhe të bashkëpunojnë në çrrënjosjen e tij që të mos mbetet vetëm në angazhime deklarative. "Strategjia kombëtare dhe Plani i Veprimit që rezultoi prej saj janë të dobishme me qëllim që t'i udhëzojnë institucionet në luftën kundër korrupsionit, por, nevojitet shumë më tepër. Angazhimet duhet të jenë të palodhura dhe nëse duam të bëjmë ndryshime strukturore shoqërore, duhet të vazhdojmë dhe të mos kthehemi pas”, tha Vasalo. Zëvendëskryeministri përgjegjës për luftë kundër korrupsionit dhe krimit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe resurseve njerëzore, Ljupço Nikolovski pajtohet se nevojitet luftë e përbashkët dhe qëndrueshmëri e të gjitha faktorëve në shoqëri. "Do të kemi sukses vetëm nëse të gjithë së bashku dhe me kapacitet të plotë, pa taktizim, me guxim dhe vendosmëri i zbatojmë reformat e vështira, dhe i ndryshojmë shprehitë, t'i zbatojmë ligjet në mënyrë të barabartë për të gjithë dhe kudo", tha Nikollovski. Meqë kjo është betejë e përbashkët e të gjithëve dhe për të gjithë, kryeparlamentarit i kemi dorëzuar deklaratë për front të gjerë për luftë kundër korrupsionit”. "Presim që ajo të përkrahet nga të gjitha partitë relevante politike. Të gjithë së bashku të jemi kreatorët e një shoqërie në të cilën do të respektohen dhe zbatohen ligjet, masat dhe rregullat. Një shoqëri në të cilën do të respektohet ligji, me të cilin do të përballen të gjithë ata që e shkelin dhe do të përballen me përgjegjësinë", tha Nikollovski. Ai, në fjalën e tij, theksoi se Qeveria ka treguar vullnet dhe gatishmëri për të luftuar korrupsionin dhe këtë e ka dëshmuar me një sërë masash dhe aktivitetesh të ndërmarra, por edhe me vendosjen e transparencës dhe llogaridhënies.

QËNDRONI TË LIDHUR