Konferencë rajonale për koordinimin e sigurisë: Bashkëpunimi është rruga e vetme drejt sigurisë dhe stabilitetit
- Siguria e Evropës nuk mund të jetë e plotë pa sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Siguria jonë nuk mund të jetë e qëndrueshme pa integrimin e plotë në strukturat e NATO-s dhe BE-së, ka thënë sot kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në hapjen e konferencës së 10-të jubilare për koordinimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor nën moton "Ballkani Perëndimor - BE: Siguri e përbashkët dhe e ardhme e përbashkët".
- Post By Fami Bajrami
- 13:40, 11 nëntor, 2025
Shkup, 11 nëntor 2025 (MIA) - Siguria e Evropës nuk mund të jetë e plotë pa sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Siguria jonë nuk mund të jetë e qëndrueshme pa integrimin e plotë në strukturat e NATO-s dhe BE-së, ka thënë sot kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në hapjen e konferencës së 10-të jubilare për koordinimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor nën moton "Ballkani Perëndimor - BE: Siguri e përbashkët dhe e ardhme e përbashkët".
Nën organizim të Këshillit të bashkëpunimit rajonal (RCC), me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit ndërkombëtar të Italisë dhe Ministrisë së Brendshme të Italisë dhe në partneritet me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sot në Shkup u hap konferenca e 10-të jubilare për koordinimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Sipas Gashit, partneriteti me BE-në duhet të thellohet në sferat që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve dhe ai është sundimi i ligjit, ekonomia, arsimi, shëndetësia, politikat sociale dhe politikat e përbashkëta të sigurisë.
"Ballkani Perëndimor ka vetëm një alternativë dhe ajo është BE-ja. Prandaj, duke marrë parasysh këtë orientim gjeopolitik, ne duhet të jemi pjesëmarrës aktivë në politikat evropiane dhe jo vetëm spektatorë të ngjarjeve. Nga ne pritet guxim politik dhe vendosmëri në këtë vizion të përbashkët", ka thënë Gashi.

Zëvendëskryeministri përgjegjës për politikat e qeverisjes së mirë, Arben Fetai, në fjalimin e tij theksoi se siguria nuk lind nga frika, ajo rritet nga besimi. Kur institucionet janë transparente dhe të përgjegjshme, siç tha, zvogëlohet hapësira për abuzim, korrupsion dhe arbitraritet. Sipas tij, besimi është fjala përcaktuese e kohës sonë. Ajo është monedha e re e qeverisjes moderne, më e vlefshme se çdo tjetër, sepse pa të nuk ka përparim ekonomik, stabilitet politik apo reforma institucionale.
"Ne si Qeveri po organizojmë konferencën vjetore kushtuar paqes dhe sigurisë. Ky vit është jubilej, ndërsa temat që do të diskutojmë gjatë këtyre dy ditëve kanë të bëjnë me sigurinë, ndërsa pjesëmarrësit do të jenë organizata që merren me sigurinë dhe vende nga rajoni dhe më gjerë. Temat për të cilat do të diskutohet përfshijnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, sigurinë kufitare, tha Fetai. Potencoi se Maqedonia është vendimtare për sigurinë rajonale.

Sekretari i përgjithshëm i RCC, Amer Kapetanoviç, nënvizoi se Konferenca e 10-të rajonale për koordinimin e sigurisë ("Xhumbo") është shumë më tepër se sa konferencë. Ajo është një rrjet i gjallë besimi. Së bashku kemi ndërtuar platformën rajonale më të besueshme për dialog për sigurinë dhe qëndrueshmërinë. Sot, qytetarët tanë përballen me kërcënime të reja - nga krimi i organizuar dhe korrupsioni te rreziqet kibernetike dhe hibride - por një e vërtetë mbetet e pandryshuar: askush nuk mund t'i përballojë ato i vetëm. Bashkëpunimi nuk është vetëm opsion strategjik, ajo është rruga jonë e vetme drejt sigurisë dhe stabilitetit. Sepse siguria e vërtetë nuk matet me armë apo mure, por me besimin që qytetarët tanë kanë në institucionet e tyre", theksoi Kapetanoviç.
Ambasadori i Italisë në Maqedoninë e Veriut, Paolo Palminteri, theksoi se angazhimi dhe mbështetja e Italisë për Regional Cooperation Council (RCC) është pjesë e strategjisë së tyre - anëtarësim i plotë në BE për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai shfaqi shpresë se Maqedonia do të jetë në grupin udhëheqës.

Sipas programit, nesër do të mbahen grupe pune paralele për migracionin, krimin e organizuar dhe kërcënimet kibernetike të cilat do të dalin me rekomandime konkrete për hapat e mëtejshëm.
Kjo konferencë paraqet forumin më të madh rajonal për sigurinë dhe sinjal të qartë se Ballkani Perëndimor është një faktor aktiv dhe jo vetëm një përfitues i sigurisë evropiane. rq/
Foto: Zyra e zëvendëskryeministrit përgjegjës për politikat e qeverisjes së mirë dhe Këshillit për bashkëpunim rajonal (RCC)