• e hënë, 23 dhjetor 2024

Konferencë përfundimtare për kuadrin ligjor të modernizuar për mbrojtjen e të dhënave personale

Konferencë përfundimtare për kuadrin ligjor të modernizuar për mbrojtjen e të dhënave personale
Shkup, 7 tetor 2022 (MIA) - Me përpjekje të përbashkët të ekspertëve nga Kroacia dhe Gjermania dhe punonjësve të Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, janë arritur rezultate mbresëlënëse dhe është realizuar qëllimi kryesor i projektit - zbatimi më i lehtë i ligjit mbi Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Kështu bëri të ditur sot drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Imer Aliu, në konferencën përfundimtare të tuining-projektit “Përkrahje në zbatimin e kornizës ligjore të modernizuar për mbrojtjen e të dhënave personale”, financuar nga Bashkimi Evropian. Projekti zbatohet nga Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale e Republikës së Kroacisë dhe Fondacioni Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), ndërsa përfitues është Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi e konfirmoi rolin jashtëzakonisht të rëndësishëm të autoriteteve kombëtare për mbrojtjen e të dhënave personale, të cilat ato e luajnë në garantimin e mbrojtjes nga cenimi i integritetit personal dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të tjera themelore të njeriut gjatë mbledhjes, përpunimit dhe përdorimit të dhënave personale. Në konferencë folën edhe ambasadorët e Kroacisë dhe Gjermanisë, Nives Tiganj dhe Anke Holshtajn, të cilat janë vende partnere në zbatimin e projektit të binjakëzimit të BE-së. Tiganj dhe Holshtajn theksuan rëndësinë e tuining-projekteve si instrumente për bashkëpunimin institucional ndërmjet vendeve partnere të BE-së dhe vendit përfitues me qëllim arritjen e rezultateve konkrete përmes realizimit të aktiviteteve të përbashkëta. Në kuadër të konferencës u mbajt panel diskutimi me temën “Siguria e të dhënave personale”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga institucionet partnere, sektori shtetëror, shoqëria civile dhe komuniteti i biznesit, të cilët folën për aspektet ligjore dhe teknike lidhur me sigurinë e përpunimit të të dhënave personale dhe rëndësinë e së njëjtës në botën moderne digjitale. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR