• e mërkurë, 22 janar 2025

Konferencë: Investime në teknologjitë moderne të përpunimit të mbetjeve dhe përgjegjësi e zgjeruar e prodhuesve

Konferencë: Investime në teknologjitë moderne të përpunimit të mbetjeve dhe përgjegjësi e zgjeruar e prodhuesve

Shkup, 16 janar 2025 (MIA) – Investimet në impiantet e riciklimit dhe teknologjitë moderne të trajtimit të mbeturinave duhet të jenë prioritet të ekonomisë qarkulluese, porositi Delegacioni i BE-së në vend duke përmendur të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës (ESHS) se 99,8 për qind e mbetjeve të grumbulluara komunale në Maqedoninë e Veriut lihen në deponi.

"Kjo nënkupton pothuajse gjithçka, gati të gjitha mbeturinat komunale. Bashkimi Evropian me mbështetjen e shteteve anëtare, ka ndarë fonde të konsiderueshme për të ndihmuar Maqedoninë e Veriut në këtë sferë, por jemi dëshmitarë të një niveli të ulët të absorbimit të këtij lloj projekti. Organet e administratës duhet t'i edukojnë qytetarët për përfitimet e riciklimit", theksoi Shtefan Hudolin, shef i bashkëpunimit në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shkup dhe si shembull përmendi Slloveninë ku angazhimi i komunitetit "luan një rol kyç në rritjen e shkallës së riciklimit, gati 70 për qind”.

Në aktivitetin përmbyllës sot, pothuajse dy vjet pas fillimit të tuining- projektit të financuar nga BE "Mbështetje për impelementimin e ligjit për menaxhimin e mbetjeve dhe përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit", Hudolin tha se BE-ja ka ofruar mjete dhe objektiva, por institucionet mbeten përgjegjës për ta zbatuar atë.

"Qëllimet e riciklimit janë të pakuptimta nëse nuk respektohen... Tani e tutje, kjo do të varet nga implementimi. Çështja nuk është nëse BE-ja ka dhënë udhërrëfyesin, por nëse institucionet kombëtare po punojnë me përkushtimin e nevojshëm. Përgjegjësia e zgjeruar e prodhuesit është në qendër të gjithë kësaj. Prodhuesit, jo taksapaguesit, janë ata që duhet të përballojnë kostot e riciklimit, grumbullimit dhe përpunimit të mbetjeve, që është një nxitje e madhe për kompanitë për të krijuar dhe dizajnuar produkte të qëndrueshme. Dhe nuk duhet të ketë tolerancë për asnjë prodhues që nuk është plotësisht i përkushtuar ndaj këtyre ndryshimeve. Kjo është një mundësi për të krijuar praktika moderne. Duhet të krijohet një organ përgjegjës këtu në Maqedoni të Veriut i cili do të koordinojë çështjet dhe do të mbajë përgjegjësi për këtë", ka thënë Hudolin.

Partneri kryesor i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në zbatimin e projektit ka qenë Fondacioni për mbrojtje të klimës dhe planetit blu nga Hungaria dhe Austria, ndërsa si partner i vogël është përfshirë edhe Austria. Në aktivitetin fjalim mbajtën edhe ambasadorët e dy vendeve me pritjet që ky projekt të realizohet me sukses në terren.

Ambasadori i Hungarisë, Andrash Klajn tha se është përgatitur korniza për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesve.

"Kjo zgjidhje e përshtatur për Maqedoninë e Veriut jo vetëm që do të sigurojë efikasitet më të madh, transparencë dhe shkallë më të lartë të grumbullimit, por gjithashtu do të kontribuojë në një mjedis më të pastër për menaxhim më të mirë dhe më të suksesshëm të mbetjeve. Ky projekt është gjithashtu një hap më afër përmbushjes së kërkesave të Bashkimit Evropian. Prandaj, ky është një hap përpara në rrugën e anëtarësimit të vendit tuaj në BE, për të cilin Hungaria është një mbështetëse e fortë", tha Klajn.

Ambasadori austriak Martin Pamer tha gjithashtu se Austria është "mbështetëse e madhe e afrimit të Maqedonisë së Veriut me BE-në - si në nivel politik ashtu edhe teknik".

Në emër të ministrit të Mjedisit Jetësor dhe zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti në takim foli këshilltarja shtetërore në MMJPH, Lindita Dika e cila tha se në kuadër të këtij projekti të financuar nga BE-ja merret parasysh nevoja për të forcuar të gjitha organet kompetente dhe palët e tjera të interesuara për menaxhimin dhe riciklimin e mbetjeve.

“Përcaktimi strategjik i Maqedonisë së Veriut për t'u bërë anëtare e BE-së na vë përballë sfidave dhe harmonizimit të legjislacionit tonë me BE-në", tha Dika dhe falënderoi BE-në për ndihmën e dhënë dhe siç tha ajo, arritjen e kapaciteteve shtetërore në mbrojtjen e mjedisit jetësor. Ajo shtoi se pret që të përmbushen detyrat e projektit dhe se “do të vendoset rregullore e duhur dhe infrastrukturë e planifikuar”.

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR