Komunat prej nesër mund të aplikojnë për grante për zhvillimin e shërbimeve sociale në nivel lokal
- Zëvendësministri dhe sekretari shtetëror i Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Velkovski dhe Fatmir Sabriu, sot morën pjesë në prezantimin e thirrjes së tretë publike për grante për zhvillimin e shërbimeve sociale në nivel lokal, në kuadër të projektit për Përmirësimin e Shërbimeve Sociale pranë Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, me mbështetjen e Bankës Botërore.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 15:32, 9 janar, 2025
Shkup, 9 janar 2025 (MIA) - Zëvendësministri dhe sekretari shtetëror i Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Velkovski dhe Fatmir Sabriu, sot morën pjesë në prezantimin e thirrjes së tretë publike për grante për zhvillimin e shërbimeve sociale në nivel lokal, në kuadër të projektit për Përmirësimin e Shërbimeve Sociale pranë Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, me mbështetjen e Bankës Botërore.
Shërbimet sociale që do të financohen përmes thirrjes, siç informojnë nga Ministria për Politikë Sociale, Demografi dhe Rinisë, janë shërbimet në shtëpi dhe shërbimet në komunitet.
Siç është theksuar në kumtesë, kjo thirrje paraqet një mundësi për të rritur ndjeshëm numrin e komunave në të cilat zhvillohen shërbimet sociale, nga 41 komuna deri më tani, në të paktën 20 komuna të reja.
"Jam rregullisht në terren dhe rezultatet e aktiviteteve tona i shoh përmes bisedave të drejtpërdrejta me qytetarët, prandaj fuqimisht ju inkurajoj që të paraqiteni në numër më të madh, veçanërisht kur thirrja për shprehje interesi do të jetë aktive nga nesër”, tha Velkovski, duke iu drejtuar përfaqësuesve të pranishëm të komunave.
Ai iu referua përpjekjeve të Ministrisë për të ndërtuar një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe të drejtë, si dhe në hapjen e mundësive të reja për të vazhduar krijimin e ndryshimeve domethënëse për qytetarët, me theks të veçantë tek më të cenuarit.
Velkovski i theksoi çështjet kryesore që janë në fokus të punës së Ministrisë. Si të tilla, ai veçoi: integrimin e sistemit të mbrojtjes sociale - përmes prezantimit të një zgjidhjeje të re softuerike që për herë të parë do të ofrojë pasqyrë të të drejtave dhe shërbimeve të përdorura nga të gjithë anëtarët e një familjeje, pagesat përmes kartave për ndihmë sociale - në mënyrë specifike dhe ekskluzive për plotësimin e nevojave bazë, si dhe mbështetje më të madhe për punonjësit në Qendrat e mbrojtjes sociale.
Sekretari shtetëror Sabriu foli për përfitimin e dyfishtë që vjen nga zbatimi i Projektit për përmirësimin e shërbimeve sociale.
“Së pari, ofron akses në shërbime që përmirësojnë cilësinë e jetës për më të cenuarit, duke krijuar në të njëjtën kohë vende të reja pune në komunitetet lokale. “Ky proces ka një efekt të drejtpërdrejtë dhe afatgjatë në zhvillimin ekonomik, duke krijuar vende pune dhe duke ofruar mbështetje cilësore për ata që kanë më shumë nevojë”, theksoi Sabriu.
Prezantimi i sotëm ofroi një pasqyrë të detajuar të kërkesave për aplikim, si dhe informacione për mbështetjen që do të kenë komunat dhe ofruesit e shërbimeve sociale. Ministria do të ofrojë mbështetje për përgatitjen e të gjitha dokumenteve të nevojshme dhe propozim-projektet.
"Projektet e financuara nga kjo thirrje do të zbatohen në periudhën 2025-2026, me synim përmirësimin e ndjeshëm të shërbimeve sociale dhe aksesit në to për grupet e cenuara. Kjo është një vazhdimësi e aktiviteteve të suksesshme të Ministrisë në kuadër të reformës sociale, e cila synon uljen e varfërisë dhe forcimin e kapitalit njerëzor në vend", theksohet në kumtesë.
Foto: Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë