• e shtunë, 23 nëntor 2024

Komuna e Tetovës lidhi marrëveshje me kompaninë austriake "Saubermacher" për menaxhim me mbeturina

Komuna e Tetovës lidhi marrëveshje me kompaninë austriake

Shkup, 13 shkurt 2024 

Menaxhimi i mbeturinave është një nga sfidat më të mëdha të jetës moderne, dhe gjithashtu është një nga shqetësimet dhe angazhimet më të dukshme të komunitetit për mjedisin. Të gjithë ne si individë, në jetën tonë private dhe profesionale, jemi pjesëmarrës në sistemin e menaxhimit të mbeturinave dhe bëjmë zgjedhjen për kontributin tonë për një shoqëri vlerash të përbashkëta dhe mjedis të pastër jetësor.

Që nga fillimi i mandatit, ne kemi qenë të orientuar dhe përkushtuar për një menaxhim sa më të mirë, më efikas, për një sistem të qëndrueshëm dhe modern të menaxhimit të mbeturinave dhe bashkë me këtë edhe për një mjedis sa më të pastër. Prandaj, një nga përparësitë kryesore të angazhimit tonë ka qenë konceptimi dhe zbatimi i reformës për përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve në komunën tonë.

Në territorin e komunës sonë është paraqitur nevoja për të krijuar infrastrukturën bazë për grumbullimin, përzgjedhjen, trajtimin dhe përpunimin, si dhe deponimin e mbeturinave. Ishte tepër e nevojshme të forcohen detyrimet e të gjithë aktorëve në menaxhimin e mbeturinave, si dhe zbatimin e parimeve për riciklimin e mbeturinave me qëllim të mbrojtjes së mjedisit.

Pikërisht, në drejtim të menaxhimit sa më efikas dhe funksional të mbeturinave Komuna e Tetovës ka nënshkruar marrëveshje për Partneritet Publik Privat me kompaninë "Saubermacher".

Unë besoj thellësisht se ky partneritet dhe plani gjithëpërfshirës profesional do të jetë i suksesshëm drejt modernizimit të mënyrës së trajtimit të mbeturinave. Ne do të ofrojmë shërbimin e duhur për çdo qytetar dhe do të zvogëlojmë sasinë e mbeturinave të depozituara, ndërsa ajo që do të hidhet nuk do të shkaktojë ndikime negative në mjedis. Tani bashkë me kompaninë Saubermacher jemi duke ecur drejt realizimit të këtyre hapave.

Sot, para jush prezantojmë një pjesë rë pajisjeve moderne për grumbullimin e mbeturinave bashkë me udhëzimet për qytetarët, të cilat do të ndikojnë dukshëm në pastërtinë e qytetit tonë.

Vizioni ynë së bashku me kompaninë është që të sigurojmë një qytet të pastër dhe të zhvilluar për të gjithë. Prandaj nevojitet bashkëpunimi i gjithsecilit pasi vetëm në këtë mënyrë mund të arrijmë te qëllimi i përbashkët që ne dëshirojmë, që nënkupton menaxhim modern dhe efikas të mbeturinave. Dhe, ne, bashkërisht, dalëngadalë po ecim rrugës për të cilën kemi punuar këto 2 vite.

Puna jonë nuk mbaron këtu. Është e rëndësishme që të vazhdojmë të zhvillojmë dhe të përmirësojmë sistemin tonë të menaxhimit të mbeturinave në Tetovë. Ne duhet të jemi të përkushtuar për të punuar në drejtim të reduktimit të ndotjes së mjedisit dhe mbrojtjes së burimeve natyrore, një synim që kërkon angazhimin e përbashkët.

Duke iu përgjigjur këtyre sfidave me vendosmëri dhe përkushtim, unë jam i bindur se së bashku, ne mund të bëjmë ndryshime të mëdha dhe ta bëjmë Tetovën, një qytet më të pastër dhe më të mirë për të gjithë ne dhe për brezat që vijnë.

Faleminderit për përkrahjen tuaj të vazhdueshme, për besimin e palëkundur në angazhimin e përbashkët për një qytet më të mirë për të gjithë!

Fotografia: Komuna e Tetovës

Zyra për Komunikime dhe Marrëdhënie me Publikun

Komuna e Tetovës

—————————————————————————————————————————

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.
 
 

QËNDRONI TË LIDHUR