• e hënë, 23 dhjetor 2024

Komuna e Çairit do të ndajë 600 mijë denarë ndihmë për Turqinë

Komuna e Çairit do të ndajë 600 mijë denarë  ndihmë për Turqinë

Shkup, 14 shkurt 2023 (MIA) - Komuna e Çairit do të ndajë 600 mijë denarë për të prekurit nga tërmeti katastrofik në Turqi. Vendimi është marrë njëzëri në mbledhjen e sotme të Këshillit të Komunës.

Siç informoi në një shkrim në Fejsbuk, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, mjetet janë siguruar nga Buxheti i Komunës, programi AO 412110, gjegjësisht rezervat ekzistuese dhe do të transferohen në konton e drejtpërdrejtë të shtetit turk, që është hapur enkas për tërmetin.

"Unë jam plotësisht i vetëdijshëm, sikurse edhe ju qytetarë të nderuar, se s’ka para që mund ta shlyej dhimbjen shpirtërore për humbjen e jetëve të njerëzve, megjithatë për momentin secila ndihmë do të jetë e mirëseardhur për të gjallit që kanë ngelur dhe për të rimëkëmbur jetën e tyre, për të rimëkëmbur vatrën e tyre, qytetin e tyre. Përkujtoj se si Komunë e Çairit dhe në koordinim me shoqatat humanitare që veprojnë në territorin tonë dhe të cilat i falënderoj pa masë, tanimë kemi nisur drejt rajoneve turke të goditura nga tërmeti edhe ndihmë në gjësendet më të nevojshme në raste të katastrofave të tilla", shkroi Ganiu.
 
Ganiu falënderoi pjesëtarët e Shoqatës së Zjarrfikësve Vullnetarë “Bajram Miftari” të cilët menjëherë sa u dha lajmi për tërmetin u nisën drejt Turqisë dhe dhanë kontributin e pashoq atje. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR