• e premte, 05 dhjetor 2025

Komiteti i rajoneve të BE-së për Kornizën buxhetore 2028-2034: Një përbindësh që përpiu kohezionin

Komiteti i rajoneve të BE-së për Kornizën buxhetore 2028-2034: Një përbindësh që përpiu kohezionin

Bruksel, 19 korrik 2025 (MIA) - Korniza financiare shumëvjeçare e propozuar e BE-së (FMN) për periudhën nga viti 2028 deri në vitin 2034 nuk i merr parasysh interesat e komuniteteve lokale dhe rajonale dhe i "lë mënjanë" qytetet dhe rajonet në interes të një centralizimi më të madh, tha kryetarja e Komitetit Evropian të Rajoneve, Kata Tite, në një intervistë për Agjencinë Evropiane të Lajmeve (ENR), pjesë e së cilës është edhe MIA.

"Kishte shumë njoftime që vinin nga kryetarja e Komisionit Evropian kur bëhet fjalë për buxhetin. Ajo tha se rajonet do të ishin në thelb të tij. Ajo foli për politikën e kohezionit si një shtyllë themelore, e cila do të mbetet. Ajo foli për rolin e udhëheqësve vendorë, për vetëqeverisjen lokale... Por ne mendojmë se thjeshtimi dhe efikasiteti do të sjellin diçka tjetër. Ajo që ka ndodhur është një mënyrë shumë interesante e centralizimit të gjërave. Ajo që po shohim është ajo që unë e quaj një përbindësh që ka gëlltitur kohezionin", tha Tite.

Propozimi parashikon transferimin e përgjegjësisë për shpërndarjen e 50 përqind të mjeteve për politikën e kohezionit dhe programet bujqësore te autoritetet e shteteve anëtare të BE-së bazuar në planet kombëtare të investimeve dhe reformave.

Sipas Tites, ky propozim buxheti i centralizon të gjitha politikat – bujqësinë, kohezionin, migracionin, kontrollin kufitar, mbrojtjen sociale..., dhe të gjitha janë "të futura në një thes".

Ajo akuzoi kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, për krijimin e një situate të "Lojërave të Urisë", në të cilën rajonet dhe qytetet do të konkurronin për pjesën e tyre të një "ene të mbyllur fondesh" dhe do të liheshin të "vendosnin mes tyre se kush çfarë merr".

Sipas saj, ky propozim kufizon ambiciet e udhëheqësve vendorë dhe kapacitetin e tyre inovativ për të zbatuar përpjekjet për të ofruar siguri për qytetarët.

Korniza e propozuar buxhetore, sipas saj, nuk ka një drejtim të qartë për disa fusha kyçe, siç janë papunësia e të rinjve, kujdesi për fëmijët, kontrolli kufitar dhe bujqësia.

Presidenti i Këshillit të Rajoneve beson se politika e kohezionit duhet të mbetet një politikë më vete, jo pjesë e ndonjë pakete.

Komiteti Evropian i Rajoneve është një organ këshillimor i BE-së që përfaqëson interesat e autoriteteve lokale dhe rajonale në të gjithë Unionin. Ai përbëhet nga 329 anëtarë nga të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së, të zgjedhur nga radhët e anëtarëve të autoriteteve lokale ose rajonale.

Politika e kohezionit të BE-së synon të zvogëlojë pabarazitë midis rajoneve dhe vendeve anëtare dhe të promovojë kohezionin ekonomik, social dhe territorial në Union. Ajo përqendrohet në mbështetjen e investimeve për krijimin e vendeve të punës, forcimin e konkurrueshmërisë së biznesit, stimulimin e rritjes ekonomike dhe zhvillimit të qëndrueshëm, si dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. sa/

Foto: ENR

QËNDRONI TË LIDHUR