• e hënë, 23 dhjetor 2024

Komiteti i Helsinkit: Gjykata Themelore Civile përcaktoi segregimin e fëmijëve romë në procesin arsimor

Komiteti i Helsinkit: Gjykata Themelore Civile përcaktoi segregimin e fëmijëve romë në procesin arsimor

Shkup, 6 gusht 2024 (MIA) - Gjykata Themelore Civile konfirmoi se Qeveria dhe tre ministri - për arsim dhe shkencë, punë dhe politikë sociale dhe shëndetësi, si dhe Inspektorati Shtetëror i Arsimit dhe komunat Manastir dhe Shtip, kanë bërë diskriminim - segregim të fëmijëve romë në procesin arsimor. Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut kumtoi se Gjykata e ka sjellë gjykimin pas padisë së tyre për mbrojtje nga diskriminimi me interes publik, të dorëzuar më 1 shkurt të vitit 2021.

Nga të gjitha dëshmitë e dorëzuara nga ana e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut si paditës, Gjykata ka përcaktuar se "në rastin konkret është kryer segregim i fëmijëve romë në procesin arsimor, në mënyrën të cilën janë formuar paralelet në SHFK "Gjorgji Sugarev" në Manastir dhe SHFK "Goce Dellçev" në Shtip, si dhe me referimin joadekuat të fëmijëve romë në institucionet arsimore që janë destinuar për nxënësit me kufizime intelektuale".

Qeveria, MASH, IASH, Komuna e Manastirit dhe Komuna e Shtipit, citon Komiteti i Helsinkit, nuk kanë ndërmarrë masa për mos segregim të nxënësve romë në paralelet e ndara gjegjësisht nuk kanë ndërmarrë aktivitete për sistemimin e tyre të barabartë dhe adekuat me komunitetet tjera etnike në paralele. Qeveria dhe tre ministritë "nuk kanë ndërmarrë veprime për miratimin e ligjeve dhe akteve nënligjore për rregullim detajor të mënyrës së kategorizmit të fëmijëve me nevoja të veçanta, veçanërisht fëmijët romë".

Në padinë e Komitetit të Helsinkit janë përshkruar një numër i madh i hulumtimeve, raporteve dhe dokumenteve të publikuara viteve të fundit për ndarjen si formë e diskriminimit ndaj fëmijëve romë në procesin arsimor, konkretisht në komunat Shtip dhe Manastir.

Problemi kryesor që Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut e konstaton nga të dhënat e mbledhura është "diskriminimi sistematik dhe ndarja e fëmijëve romë në arsim".

Siç citon, që nga viti 2009 e kanë informuar opinionin për rastin e segregimit të bashkësive etnike në procesin arsimor në Strugë dhe e kanë ngritur procedurën e parë para Komisionit për mbrojtje nga diskriminimi në lidhje me segregimin e fëmijëve romë në shkollën fillore "Gjorgji Sugarev" në Manastir, ku që nga viti 2017 kanë njoftuar për paralelet e segreguara të nxënësve romë, në rast të shprehjes së urrejtes dhe për grafitet me përmbajtje të tillë të godinës shkollore.

Në një shkresë për mediat me rastin e gjykimit, KH e citon edhe atë që në vitin 2010 e ka konfirmuar Avokati i popullit - se pas insistimit të prindërve të tyre, që të mos mbesin jashtë procesit arsimor, fëmijët romë shpesh herë regjistrohen në shkolla të specializuara, edhe krahas asaj që nuk kanë pengesë intelektuale.

Procedura gjyqësore e inicuar nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut është vendosur në suaza të projektit "Mbështetje e Maqedonisë së Veriut në menaxhimin e sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut", të cilin Komiteti në vitin 2020 e ka zbatuar me Misionin e OSBE-së në Shkup. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR