• e shtunë, 06 dhjetor 2025

Komisioni parlamentar për politikë sociale mbetet i bllokuar, seanca duhet të vazhdojë pas pauzës

Komisioni parlamentar për politikë sociale mbetet i bllokuar, seanca duhet të vazhdojë pas pauzës

Shkup, 14 mars 2025 (MIA) - Në Kuvend sot do të ketë edhe një tentativë për zhbllokimin e punës së Komisionit për politikë sociale, demografi dhe rini dhe Komisionit ligjvënës, ku në rendin dite ka vetëm një pikë - Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sigurimin pensional dhe invalidor në procedurë të shkurtuar. Edhe sot si pardje puna e këtij Komisioni mbeti e bllokuar, ndonëse kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi emëroi kryesuese deputeten nga koalicioni qeverisës “VLEN", Imërlije Saliu Fetai, pasi të hënën deputeti Bejxhan Iljas refuzoi ta kryej këtë funksion.

Fetai në fillim kërkoi nga anëtarët e Komisionit që të shprehen për rendin e ditës, duke theksuar se sipas nenit 126, paragrafi 3, në krye të këtij Komisioni është emëruar vetëm për një pikë e rendit të ditës, gjegjësisht Propozim ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sigurimin pensional dhe invalidor, me procedurë të shkurtuar. Për këtë kanë reaguar deputetët e LSDM-së duke kërkuar që t'u jepet mundësia të bëjnë vërejtje procedurale.

Deputetja e LSDM-së, Jovanka Trençevska kërkoi ndërhyrje procedurale për propozimin për plotësimin e rendit të ditës, gjegjësisht të vendoset përfshirja e Ligjit për të drejtat e "branitellave", apo forcave mbrojtëse.

Sipas deputetit të LSDM-së, Oliver Spasovski, në asnjë nen të Rregullores nuk qëndron se Fetai është caktuar vetëm për një pikë të rendit të ditës, por, siç tha, për thirrjen e seancës.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski, duke sqaruar procedurën, theksoi se kryetari i Kuvendit e detyroi deputeten Saliu-Fetai që ta udhëheqë seancën e Komisionit me rend dite të caktuar.

"Nëse dikush dëshiron të shtojë rendin e ditës, atëherë ky komision duhet të ketë kryetar. Delegoni dikë që të jetë kryetar i këtij Komisioni, do ta votojmë me të 120 deputetët dhe pastaj do ta zbatojmë plotësisht Rregulloren. Askush nuk ka asgjë kundër të drejtës së dikujt që të propozojë pika të rendit të ditës", tha Stojanoski.

Spasovski dhe Trençevska përsëri kërkuan që t'u jepet mundësia për të bërë vërejtje procedurale, por Saliu-Fetai në një atmosferë të tensionuar kërkoi nga anëtarët e Komisionit që të shprehen për rendin e ditës dhe me 8 vota "për" u votua rendi i ditës.

Deputeti nga radhët e "VLEN" Rijad Shaqiri, duke iu drejtuar deputetëve të LSDM-së, tha se po bëjnë cirk dhe se Ligji për branitella nuk do të mund të miratohet nëse nuk rregullohet me ligj statusi i ish pjesëtarëve të UÇK-së.

Spasovski kërkoi një orë e gjysmë pauzë. Pas kësaj pauze, mbetet të shihet nëse dhe si do të vazhdojë seanca e këtij Komisioni.

Problemi në Komisionin për politikë sociale ka filluar në nëntor të vitit të kaluar pasi deputetja e Aleancës për Shqiptarët, Ilire Dauti, refuzoi ta vendosë në rend dite Propozim-ligjin për mbrojtësit nëse nuk ka zgjidhje ligjore edhe për anëtarët e UÇK-së. Kuvendi, në seancën plenare të 10 janarit, me mbështetjen e 61 deputetëve dhe 22 “kundër”, ka votuar interpelancën e kryetares së Komisionit parlamentar për punë, politikë sociale dhe rini, Ilire Dauti. Interpelanca për Dautin është dorëzuar në nëntor nga grupi parlamentar I Të “Majtës”, pasi Dauti, siç është theksuar në seancën plenare me “sjelljen e saj të pamatur, të papërgjegjshme, antikushtetuese dhe të kundërligjshme” ka penguar Ligjin për mbrojtësit të paraqitur nga LSDM-ja opozitare duke mos e futur në rendin e ditës të Komisionit që ajo drejton. Një javë më vonë, Dauti dha dorëheqjen nga posti i saj si kryetare e Komisionit.

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR