• e hënë, 23 dhjetor 2024

Komisioni për Çështje Evropiane e miratoi rendin e ditës, nesër debaton për ligjin e parë për korridoret

Komisioni për Çështje Evropiane e miratoi rendin e ditës, nesër debaton për ligjin e parë për korridoret

Shkup, 10 maj 2023 (MIA) - Komisioni parlamentar për Çështje Evropiane i cili sonte duhej t'i shqyrtonte propozim - ndryshimet ligjore për korridoret, e miratoi vetëm rendin e ditës, ndërsa debatin për pikën e parë duhet ta fillojë nesër.

Para se të votohej rendi i ditës, në mënyrë procedurale për fjalë u paraqitën koordinatorët e grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski dhe zëvendëskoordinatorja Eli Panova. Ato reaguan se po bëhet shkelje serioze e Rregullores, si dhe se ligjet të cilët janë propozuar nuk kanë lidhje me rregullativën evropiane, e as nuk janë harmonizuar me të. Për gjithë këtë, u kërcënuan Micevski dhe Panova, do të ketë përgjegjësi. Pas tyre në mënyrë procedurale u paraqit edhe Dafina Stojanovska, duke akuzuar se "po bëhet krim i cili do të paguhet me paratë e qytetarëve".

"Po bëhen shkelje të rënda të Rregullores së punës. Nuk do të përmend mbledhjen e sotme dhe mënyrën se si arritëm në Komision. Mbledhja plenare përfundoi në orën 18:21, ndërsa në orën 18:22 u lëshua porosia se mbledhja e 54-t e Komisionit për Çështje Evropiane është caktuar për në orën 18:45 ose për 23 minuta. Në orën 19:21, nuk kishte ende asgjë të publikuar në e-Parlament për mbledhjen. Para tre minutash është thirrur mbledhja. Po miratojmë ligje që do të kushtojnë dy deri në tre miliardë euro, ndërsa ju nuk ndaleni që t'i shohim këto gjëra. Një delegacion i BE-së deklaroi se përdorimi i flamurit evropian nuk ishte i justifikuar, ndërsa edhe Oda e Arkitektëve dhe Inxhinierëve të Certifikuar tha: 'Ne mbetemi në qëndrimin se disa nga proceset e përshkruara nuk duhet të anashkalohen me shkurtimin e procedurave dhe ndryshimi i procedurave shkel qasjen profesionale'. Ata nuk janë të sigurt se kush çfarë do të projektojë, çfarë rrugësh do të projektohen - 'me implikime negative të pakapshme", tha Micevski.

Nikolla Micevski pati vërejtje për kryetarin e komisionit, Arbër Ademin se po hesht, pa dhënë kurrfarë përgjigjje për pyetjet e parashtruara. 

"A kemi debat të penguar? A kemi të debat të kufizuar për amandamentet? Ne duhet të aktrojmë se gjithçka është në rregull, se Komisioni po funksionon, se po ndjekim rendin e propozuar të ditës dhe të kryejmë punën. Nuk e di sa mund ta ulim nivelin e këtij institucioni. Nuk duhet të presim dhjetë ditë për mbledhje plenare, komisioni është caktuar në 22 minuta, caktimet janë jashtë të gjitha procedurave, transparenca në mbledhje është zero. Nuk ka nevojë për komisione sepse Komisioni për Çështje Evropiane merr përsipër gjithçka. Kjo që po bëni ju do të na godasë të gjithëve në kokë", theksoi Micevski.

Sipas Panovës, shumica qeveritare përsëri e dhunon procedurën kuvendore.

"Ka kohë që nuk kemi parë një sjellje kaq të pacipë dhe të vrazhdë. Rrallë kush nuk ka dëgjuar për 'Behtel dhe Enka', për korridoret 8 dhe 10d, ka dëgjuar edhe BE-ja. Si ajo ashtu edhe qytetarët paralajmëruan. Qëllimi juaj nuk është BE-ja, por vjedhja, prandaj sot në këtë komision kemi përsëri ligje boshe. Ju duhet të keni turp sepse fëmijët tanë do të paguajnë paratë për të cilat tani keni borxh, por xhepat tuaj do të jenë plot. Ju nuk keni parë as kontratë, as ligje, ju jeni këtu vetëm për të votuar. Në ligje thotë që nuk ka implikime financiare, ju vendosët flamur evropian, ndërsa brenda thuhet se nuk ka asnjë përputhje me rregulloren evropiane. Çfarë është kjo, kush ju lejon të silleni kështu me rregullat në vend dhe të luani me paratë e qytetarëve?”, tha Panova.

Edhe Dafina Stojanovska tha se nuk respektohet Rregullorja.

"Po ecni me kokën në mur. BE-ja ka thënë se kjo nuk është rregullore evropiane. Ka vetëm emër në rregullore dhe propozues, si dhe nënshkrim i tij. Ky është një krim që do të paguhet me paratë e qytetarëve. Nuk bëhet fjalë për hua apo sponsorizim dhe nuk po mashtroni vetëm shtetin, por edhe bashkësinë evropiane dhe një firmë eminente amerikane. Kjo nuk duhet të kalojë, dikush do të mbajë përgjegjësi për këtë", theksoi Stojanovska.

Për rendin e ditës në të cilin janë vendosur gjashtë pika, pesë propozim- ndryshimet ligjore për korridoret dhe Propozim-ligji për Akademinë e Gjykatësve dhe Prokurorëve Publikë, nëntë deputetë votuan "për", ndërsa nuk kishte kundër dhe të përmbajtur. Ademi pastaj e ndërpreu mbledhjen dhe vazhdimin e caktoi për nesër në orën 11:00. 

Në mbledhje sonte morën pjesë zëvendësministri i Punës dhe Politikës Sociale, Enver Husein dhe zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bekim Rexhepi. fc/

Fotografia: MIA 

 

QËNDRONI TË LIDHUR