• e hënë, 28 prill 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Komisioni i shëndetësisë do të organizoj debat mbikëqyrës për ndotjen e ajrit

Komisioni i shëndetësisë do të organizoj debat mbikëqyrës për ndotjen e ajrit

Shkup, 27 shkurt 2025 (MIA) - Komisioni parlamentar i shëndetësisë në seancën e sotme njëzëri vendosi të mbajë seancë mbikëqyrëse me temë: "Efektet e ndotjes së ajrit në Shkup dhe qytete të tjera për shëndetin e personave dhe masat e ndërmarra për mbrojtjen e shëndetit publik". Deri të hënën më 3 mars deputetët deri te Komisioni që drejtohet nga Rashela Mizrahi, duhet t'i dërgojnë propozimet për pjesëmarrësit në seancën mbikëqyrëse.

Deputeti i LSDM-së Fatmir Bytyqi theksoi se grupi i tij parlamentar do të mbështesë mbajtjen e seancës mbikëqyrëse, por gjithashtu tha se në Kuvend ka pasur seancë mbikëqyrëse për të njëjtën temë të rëndësishme për qytetarët.

"Duhej të diskutohej për atë iniciativë, por u bojkotua edhe nga shumica qeverisëse vetëm sepse iniciativa rrjedh nga opozita. Ne për të treguar se është e mundur të jemi ndryshe, do të marrim pjesë në diskutimin mbikëqyrës të iniciuar nga shumica qeveritare, për të njëjtën temë sepse mendojmë se duhet të diskutojmë të gjithë së bashku pa shumë politikë, sepse në fund të fundit thithim të njëjtin ajër si ne dhe fëmijët tanë", tha Bytyqi.

Ai tha se ka qenë i befasuar nga fakti se forma është më e rëndësishme se përmbajtja.

Kryetarja e Komisionit të shëndetësisë Mizrahi i replikoi Bytyqit duke thënë se ajo të cilën mazhoranca disponon është vullneti për të vendosur rregull dhe disiplinë në sistem në përputhje me ligjin dhe Rregulloren e Kuvendit.

"Nuk do të doja të hyja në procedurat e asaj që ka ndodhur me komisionin mbikëqyrës më parë, megjithatë theksoj se shumica ka për tendencë të ruajë rendin, domethënë respektimin e Kushtetutës, ligjit dhe Rregullores së Kuvendit dhe në asnjë rast nuk do të pajtohemi për shkeljen e saj", tha Mizrahi.

Duke pasur parasysh temën e seancës mbikëqyrëse, ajo theksoi se ka të bëjë me shëndetin e të gjithë qytetarëve.

"Me tendencë për të ruajtur dinjitetin e komisionit të shëndetësisë në tërësi, ndërsa jo ndaj asnjë partie politike, shumicë apo opozitë për të cilën nuk kam asnjë interes, aq më pak ky Komision, synimi i vetëm është të jemi apolitik dhe të kujdesemi për të gjithë popullatën në vend ose për gjendjen e tyre shëndetësore, gjegjësisht masat të cilat do të arrijnë një nomenklaturë më të mirë shëndetësore", tha Mizrahi.

Mbajtja e seancës mbikëqyrëse mori mbështetje edhe nga deputetët e Frontit Evropian.

Kjo do të jetë seanca e dytë mbikëqyrëse për ndotjen e ajrit. Të martën, më 25 shkurtë u mbajt seancë mbikëqyrëse e organizuar nga E Majta dhe nga LSDM-ja në Komisionin anketues për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve e cila nuk u mbështet nga shumica qeveritare. rq/

Foto: printskrin

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR