• e martë, 26 nëntor 2024

Komisioni Evropian po formon bazën e të dhënave për transparencë

Komisioni Evropian po formon bazën e të dhënave për transparencë

Bruksel, 27 shtator 2023 (MIA) - Komisioni Evropian ka lançuar bazën e të dhënave për transparencë, si një nga masat për të siguruar transparencë më të madhe nga ofruesit e shërbimeve, sipas Ligjit për Shërbime Digjitale të BE-së.

Sipas dispozitave të Ligjit për Shërbime Digjitale, të gjithë ofruesit e shërbimeve të hostimit kanë detyrimin t'u ofrojnë përdoruesve informacion të qartë dhe specifik për arsyet pse ata ndalojnë ose kufizojnë aksesin e tyre në përmbajtje të caktuar dhe ato arsye do të ruhen në bazën e re të të dhënave. 

Kjo e bën këtë bazë të dhënash depon e parë të tillë rregullatore, nga e cila të dhënat për vendimet e kufizimit të përmbajtjes së marrë nga platformat aktive onlajn në BE do të jenë të disponueshme për publikun e gjerë, gjë që duhet të kontribuojë në përgjegjshmërinë e tyre më të madhe.

Për momentin, vetëm platformat e mëdha onlajn kanë detyrimin për të dorëzuar të dhëna në bazën e të dhënave, por nga data 17 shkurt 2024, ajo do të jetë e detyrueshme për të gjithë ofruesit e shërbimeve të hostingut, me përjashtim të sipërmarrjeve mikro dhe të vogla.

Përmes bazës së të dhënave të Transparencës, përdoruesit aktualisht kanë akses në një përmbledhje statistikore të arsyetimeve të publikuara, mundësinë për të kërkuar deklarata specifike për arsyet e kufizimit, si dhe për të shkarkuar të dhëna, por në periudhën e ardhshme është planifikuar të shtohen funksione të reja për analitikë dhe vizualizim.

Kodi burimor i Bazës është i disponueshëm publikisht në platformën GitHub.

Krahas Kodit për dezinformim, si dhe masave për forcimin e mëtejshëm të transparencës në përputhje me Ligjin për Shërbimet Digjitale, baza e re e të dhënave u mundëson të gjithë përdoruesve të jenë më të informuar për mënyrat e përhapjes së përmbajtjeve të paligjshme dhe të dëmshme në internet", thekson Komisioni Evropian.  sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR