Komemoracion me rastin e 82 vjetorit të deportimit të hebrenjve të Maqedonisë në kampin Treblinka
- Komemoracion për 82-vjetorin e dëbimit të 7144 hebrenjve të Maqedonisë në kampin e Treblinkës u mbajt sot para Monumentit në ish monopolin e Shkupit - vendi ku familjet hebreje nga Shkupi, Manastiri dhe Shtipi u burgosën në kampin e përkohshëm dhe në fund të marsit u deportuan në kampin e vdekjes në Poloninë e okupuar.
- Post By Fami Bajrami
- 13:10, 11 mars, 2025

Shkup, 11 mars 2025 (MIA) - Komemoracion për 82-vjetorin e dëbimit të 7144 hebrenjve të Maqedonisë në kampin e Treblinkës u mbajt sot para Monumentit në ish monopolin e Shkupit - vendi ku familjet hebreje nga Shkupi, Manastiri dhe Shtipi u burgosën në kampin e përkohshëm dhe në fund të marsit u deportuan në kampin e vdekjes në Poloninë e okupuar.
Kryetari i Bashkësisë hebreje në vend, Pepo Levi, në fjalën e tij tha se në mars të vitit 1943 lagjet e hebrenjve në Shkup, Manastir dhe Shtip mbetën pa hebrenjtë e tyre dhe ata nuk shkelën më kurrë në kalldrëmin e lumenjve Dragor, Otinja dhe Vardar.
"Më 11 mars '43 Hitleri zgjidh përfundimisht çështjen hebraike në Maqedoni përmes satelitëve të tij fashistë nga Bullgaria. Nëntëdhjetë e tetë për qind e popullsisë hebreje në Maqedoni nuk do ta shohin kurrë më diellin e Maqedonisë. Të 7144 hebrenjtë do të përfundonin në dhomat e gazit të Treblinkës. Lufta e Dytë Botërore mori 50 milionë viktima, gjashtë milionë prej të cilëve ishin hebrenj... Fatkeqësisht, idetë e shfarosjes së hebrenjve ekzistojnë ende. Bota pagoi një çmim të madh për hezitimin e saj në kundërshtimin e Hitlerit. Prandaj sot është më e rëndësishme se kurrë të tregohet solidaritet global në kujtimin e viktimave të Holokaustit dhe vendosmëri në përballjen me të gjitha fillet e antisemitizmit", theksoi Levi.
Ambasadorja e Izraelit në vend, Simona Frankel tha se Maqedonia humbi përqindjen më të madhe të hebrenjve në krahasim me çdo vend tjetër në botë, që do të thotë "pothuajse 98 për qind e tyre u shfarosën gjatë holokaustit, ndërsa vetëm 200 hebrenj nga Maqedonia mbijetuan deri në fund të luftës".
"Para luftës, bashkësitë hebraike në Shkup, Manastir dhe Shtip kanë pasur një jetë të qetë të mbushur me kulturë dhe traditë, si dhe lirinë e besimit. Kjo jetë u bë e mundur përmes respektit të ndërsjellë me komunitetet e tjera. Sot, megjithëse komuniteti është i vogël, ai gëzon të njëjtin nivel respekti dhe bashkëpunimi me qeverinë dhe administratën dhe organizimi i këtij eventi është shembulli më i mirë për këtë", tha Frankel.
Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski në fjalimin e tij në ngjarjen kushtuar 82-vjetorit të deportimit të hebrenjve në Maqedoni, ku u bënë homazhe për një nga tragjeditë më të mëdha në historinë e vendit, tha se kjo nuk është vetëm një ditë pikëllimi dhe kujtimi i vuajtjeve të hebrenjve maqedonas, por edhe një ditë paralajmërimi, një ditë në të cilën ne si popull dhe njerëzim, konfirmojmë se nuk do të lejojmë kurrë të përsëritet historia.
“Para Luftës së Dytë Botërore, në Maqedoni jetonte një komunitet hebre dinamik, me prosperitet dhe i pasur. Hebrenjtë nuk ishin vetëm qytetarë, por edhe një pjesë e rëndësishme e jetës kulturore, ekonomike dhe sociale. Prezenca e tyre ka qenë pjesë e historisë sonë prej shekujsh. Atë vit në mars, autoritetet e atëhershme fashiste bullgare okupuese, në koordinim me pushtetet naziste, urdhëruan arrestimin dhe dëbimin e të gjithë hebrenjve nga Maqedonia e atëhershme e Vardarit. 7,144 burra, gra dhe fëmijë u mblodhën me dhunë dhe u dërguan në kampin e përkohshëm në Shkup, në objektin e atëhershëm “Monopol”. U humbën një komunitet i tërë, familje të tëra, gjenerata të tëra”, theksoi Mickoski.
Mickoski nënvizoi se kur përhapet e keqja, kur ushtrohet padrejtësi, kur dhuna bëhet rregull, nëse njerëzit heshtin, atëherë e keqja fiton dhe prandaj, sipas tij, detyrimi ynë sot, si çdo ditë, është të flasim, të mos lejojmë që gjeneratat e reja të rriten pa e ditur të vërtetën, të mos lejojmë që urrejtja të gjejë tokë të re për të mbirë, të luftojmë kundër çdo forme të antisemitizmit, diskriminimit dhe urrejtjes, t’i mësojmë fëmijët tanë se toleranca, humanizmi dhe solidariteti janë themelet e një shoqërie të drejtë dhe të mos heshtim përballë padrejtësisë.
“Maqedonia është një vend i diversitetit, një vend që gjithmonë ka qenë shtëpia e shumë kulturave, religjioneve dhe popujve. Kjo është pasuria jonë, forca jonë. Komuniteti hebre, edhe pse gati u shkatërrua gjatë kohës së Holokaustit, mbetet një pjesë e historisë sonë, jetës sonë të përditshme, të ardhmes sonë, trashëgimisë sonë kulturore dhe ndërgjegjes sonë. Prandaj, sot, deri sa jemi këtu, kujtimi ynë le të jetë jo vetëm i së shkuarës, por edhe thirrje për të ardhmen. Tragjedia e tyre le të jetë mësim për ne, jeta e tyre le të jetë kujtim për ne, dhimbja e tyre le të jetë paralajmërim”, theksoi kryeministri Mickoski në fjalimin e tij dhe përsëriti: “Të mos harrohet asnjëherë! Asnjëherë më!”
Foto: MIA