• e diel, 22 dhjetor 2024

Kombos: Anija e dytë me ndihmë humanitare për Gazën është gati të niset nga Qiproja

Kombos: Anija e dytë me ndihmë humanitare për Gazën është gati të niset nga Qiproja

Athinë, 18 mars 2024 (MIA) - Dërgesa e dytë e madhe e ndihmave humanitare për Gazën në kuadër të nismës "Amaltia", është gati të niset nga Qiproja, sipas ministrit të diplomacisë qipriote, Konstantinos Kombos, i cili zbuloi se të enjten do të jenë nikoqirë të mbi 40 vendeve për koordinim të korridorit humanitar detar, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Ministri i Jashtëm i Qipros, gjatë mbërritjes në Këshillin e Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian në Bruksel, theksoi se ngarkesa e parë e ndihmave humanitare prej 200 tonësh ka mbërritur në Gaza dhe është shpërndarë në mënyrë të sigurtë, e dyta është gati për t'u nisur dhe synimi është vazhdimi i fluksit të ndihmave drejt Gazës dhe pikërisht për këtë “Izraeli hoqi bllokadën detare të Gazës ekskluzivisht për planin "Amaltia”.

"Për hapat e mëtejshëm, së pari, përmirësimi i objekteve në pikën fillestare, por edhe për sa i përket mjeteve të transportit dhe rritjes së volumit të rrjetit të shpërndarjes, së dyti krijimi i një fondi për financimin e projektit dhe së fundi, integrimi i suksesshëm dhe efektiv i palëve të interesuara. Për këtë qëllim është planifikuar një takim më 21 mars në Qipro me pjesëmarrjen e më shumë se 40 vendeve, pikërisht për të parë operacionalisht se si mund të vazhdojmë më tej", shpjegoi Kombos.

Sa i përket takimit të së enjtes, ai tregoi se do të diskutohet për mundësitë për rritjen e kapaciteteve operacionale dhe përfshirjen e mjeteve shtesë të transportit, si dhe për rrjetin e shpërndarjes, ndërsa për fondin e financimit shpjegoi se është një projekt “i cili do të jetë afatgjatë dhe duhet të financohet në mënyrë adekuate në mënyrë të besueshme dhe të përgjegjshme."

Të martën e kaluar, anija e parë në kuadër të nismës “Amaltia” lundroi nga Qiproja dhe pak ditë më vonë mbërriti e sigurt në Gaza.

Në nismën e Qipros "Amaltia" për një korridor humanitar detar për Gazën u përfshinë KE-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Greqia, Italia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Holanda. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR